KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kisha Katolike nis ritualin e lutjeve
Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kisha Katolike nis ritualin e lutjeve

Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kisha Katolike nis ritualin e lutjeve

Në prag të 4 shtatorit, përvjetorit të parë të kanonizimit të Nënë Terezës si shenjtore nga Vatikani, Kisha Katolike në Shqipëri ka nisur çdo mbrëmje ritualin e 9 ditëve të lutjes për të përpara festës. Sipas historisë apostujt e Shën Mëria u lutën për 9 ditë në pritje të shpirtit të shenjtë të Jezu Krishtit pas Ringjalljes. Nga ana e saj edhe vetë Nënë Tereza i lutej 9 herë në ditë Shën Mërisë për të marrë bekimet e saj.
Nënë Tereza ose Gonxhe Bojaxhiu, është shqiptaja më e famshme në botë.
Fëmijërinë e saj ajo e kaloi në Shkup ku lindi dhe u rrit me ndjenjen e së bukures dhe përjetimin e mëshirës të rrënjosur nga nëna e saj sidomos pas vdekjes tragjike të babait kur Gonxhja ishte vetëm 8 vjeç. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, ndërsa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.
Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë.
Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Në javët dhe muajt e mëpasëm, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t’i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve.
Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve.
Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t’i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.
Gjatë këtyre viteve, ndërsa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t’ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t’i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi “për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve”.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003, e diela XXIX gjatë vitit kishtar, Dita Misionare Botërore.
Në dhjetor 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj, shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në tru. Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit dhe më 4 shtator 2016, Nënë tereza u shpall shenjtore në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Sicred