KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Shën Valentini erdhi përsëri!

Shën Valentini erdhi përsëri!

Shën Valentini erdhi përsëri. Në një ditë shumë të ftohtë dimri, siç bën zakonisht shkurti, bujt një festë që ngroh së pari vështrimin me të kuqen e zemrave, luleve, veshjeve, zbukurimeve simbole të kësaj dite, që në Tiranë i gjen me tepri.
Sidomos dyqanet e luleve janë dera e parë ku trokitet për Shën Valentin. Mund edhe të mos shkosh deri aty se, të vjen një motorist me lule kudo që të jesh. Ndonjë kompani private ka zgjedhur këtë ditë për të falur trëndafila të kuq, të freskët për kalimtarët, bashkë me fletushkat e ofertave!
Por edhe dyqanet e veshjeve i gjen plot me të kuqe! Edhe pastiçeritë, ato më cilësoret, sot janë në festë! Të mahnisin me fantazitë e tortave, çokollatave simbol të dashurisë, e nga pas iu vijnë edhe plot blerës admirues.
Shumë çifte edhe udhëtojnë për Shën Valentin brenda dhe jashtë vendit.
Festa e të dashuruarve e mori emrin nga martiri dhe shënjtori kristian Valentini nga Terni i Italisë, të cilit iu pre koka më 14 shkurt të vitit 273, në moshën 97 vjeçare, me urdhër të perandorit romak Aureliano. Ai u ekzekutua sepse kishte celebruar martesën mes kristianes Serapi, e cila ishte e sëmurë, dhe paganit roman Sabino. E sipas tregimeve të tre u egzekutuan, dy të sapomartuarit dhe pagëzuesi Valentino. Ai sot adhurohet si shenjti mbrojtës i të dashuruarve.

Sicred