KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Shell do të digjitalizojë dokumentet e shtetit shqiptar për hidrokarburet

Shell do të digjitalizojë dokumentet e shtetit shqiptar për hidrokarburet

Falë një projekti prej 500 mijë paund, do të mundësohet procesi i digjitalizimit të fondit të të dhënave teknike të hidrokarbureve të Shqipërisë.
Materialet që disponon arkivi e kanë fillesën në vitin 1927,ku janë të ruajtuara të gjitha dokumentet e shtetit shqiptar për hidrokarburet, përfshi edhe studimet në fushën e teknologjisë, gjeologjisë, dosjet e puseve të naftës etj.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri vlerësoi se digjitalizimi është një hap shumë i rëndësishëm drejt modernizimit të të dhënave për hidrokarburet, ndërkohë të dhënat që përfitohen janë një vlerë e shtuar për negocimin e kontratave me investitorë strategjik. “Do të bëjë të mundur të hidhen në format elektronik të gjithë shiritat, të gjithë të dhënat historike dhe kjo nuk ka vetëm efektin e një ruajtje më të mirë, por mbi të gjitha kjo vlen që ne të marketojmë më mirë pasuritë tona nesër për investitorë të huaj. Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronik dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive, në këtë rast pasurive hidrokarbure shqiptare”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Ky projekt mundësohet nga kompania SHELL, falë marrëveshjes së nënshkruar me palën shqiptare. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Adrian Bylyku, tha se digjitalizimi i të dhënave përbën fazën e parë të projektit. “Kjo fazë do të pasohet më tej dhe nga ndërhyrjet e tjera që kërkon të ndërmarrë Ministria dhe AKBN-ja deri tek projekti për ‘multi client data’, duke i dhënë një perspektivë shumë të rëndësishme kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbureve në vendin tonë” tha ai.
Përfaqësuesi i kompanisë SHELL në Shqipëri tha se kjo kompani e sheh veten si një partner i rëndësishëm te qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. “Jemi absolutisht të kënaqur që jemi pjesë e këtij projekti për digjitalizimin e arkivës hidrokarbure. Puna është në vijim. Kemi zgjedhur kontraktorin që do të mund të kryejë punën për dixhitalizimin dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me AKBN-në”, u shpreh ai, gjate inspektimit në ambientet e Arkivit Teknik Hidrokarbure në qytetin e Fierit.

Sicred