KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA zgjat programin e mbrojtjes së përkohshme për sirianët
SHBA zgjat programin e mbrojtjes së përkohshme për sirianët

SHBA zgjat programin e mbrojtjes së përkohshme për sirianët

Administrata Tramp ka zgjatur periudhën e asaj që quhet mbrojtje e përkohshme për të paktën 7 mijë sirianë që jetojnë dhe punojnë në SHBA. Ata mbrohen nga deportimi nën një program humanitar që quhet Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme. Gjatë muajve të fundit, Presidenti amerikan, Donald Tramp, e ka anulluar këtë program për vende të ndryshme, duke prekur imigrantët nga El Salvadori, Haiti dhe Nikaragua.
Zgjatja e periudhës së mbrojtjes nuk vlen për aplikantë të rinj apo persona nga Siria që kanë shkuar së fundmi në SHBA. Për Sirianët që jetojnë dhe punojnë tashmë në SHBA, programi do të shtrihet edhe për 18 muaj të tjerë. Por nga programi përjashtohen sirianët të cilët kanë hyrë në territorin e SHBA-ve pas gushtit të vitit 2016. I krijuar në vitin 1990, Statusi i Mbrojtjes së Përkohshme, lejon imigrantët që vijnë nga vende jo të sigurta që të jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në SHBA.
Që nga viti 2011, Siria është goditur nga një luftë civile e cila ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra personave dhe largimi nga vendi i tyre i miliona të tjerëve. Mbrojtja e ofruar nga programi skadonte në datën 31 mars të këtij viti, por me zgjatjen e fundit, ajo do të zgjasë të paktën edhe 18 muaj të tjerë.

Sicred