KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA; Uragani Irma
SHBA, Uragani, Irma

SHBA; Uragani Irma

Uragani “Irma” ka fituar fuqi, teksa bëhet gati të godasë ishuj të ndryshëm të Karaibeve. Uragani fryn erëra që arrijnë deri në 220 km në orë dhe ka gjasa të forcohet në 48 orët e ardhshme, ka njoftuar më herët Qendra Kombëtare e Uraganeve në Shtetet e Bashkuara. “Irma” është parashikuar të godasë ishujt Liuord, duke kërcënuar me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshme. Ndërkohë, shteti amerikan i Floridës ka shpallur gjëndjen e emergjencës. Dukuria natyrore, që pritet të shkaktojë dëme të mëdha materiale, vjen në një kohë kur banorët e Teksasit dhe Luizianës janë ende duke vuajtur pasojat e uraganit “Harvey”, i cili u përplas në këto shtete në kategorinë 4, duke sjellë shira të dendur e duke shkatërruar mijëra shtëpi. Sidoqoftë, autoritetet kanë deklaruar se është ende herët të parashikohet shtegu që do të ndjekë “Irma”, apo efektet e saj në Shtetet e Bashkuara. Uragani është parashikuar të arrijë ishujt Liuord në lindje të Porto Rikos vonë gjatë së martës. Pritet që shirat që do të sjellë të arrijnë deri në 25 cm në disa zona veriore, ndërsa nivelet e ujit të rriten deri në 3 metra mbi normalen. Edhe Porto Riko ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka angazhuar Gardën Kombëtare. Ndërkohë, radhë të gjata janë verifikuar nëpër dyqane, me banorët që po bëjnë furnizimet e fundit me ujë, ushqime, por edhe bateri e gjeneratorë.

Sicred