KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA-të tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut
SHBA-të tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut

SHBA-të tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për “subjektivizëm kronik ndaj Izraelit”, një hap që aktivistët paralajmërojnë se do ta bëjë edhe më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut në nivel global. Duke qëndruar përkrah sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Halej kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e këshillit. Ajo gjithashtu kritikoi vendet që ndajnë vlerat amerikane dhe e inkurajuan Washingtonin të qëndrojë, por “nuk ishin të gatshëm të sfidojnë seriozisht status quo-në”. Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohë të gjatë se do të largohej nga këshilli prej 47 anëtarësh me seli ne Gjenevë, nëse ai nuk riorganizohet. “Shikoni anëtarësinë e këshillit dhe shihni një mosrespektim të tmerrshëm për të drejtat më themelore”, tha ambasadorja Haley, duke vënë theksin tek Venezuela, Kina, Kuba dhe Republika Demokratike e Kongos. Nikki Haley tha gjithashtu se “përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit, është një provë e qartë se këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut”. Sekretari Pompeo, tha se nuk kishte dyshim se këshilli dikur kishte një “vizion fisnik”. Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Dymbëdhjetë grupe të të drejtave të njeriut dhe të ndihmës, përfshirë edhe organizatat, Save the Children dhe CARE, i shkruan sekretarit Pompeo duke paralajmëruar se tërheqja “do ta bëjë më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për viktimat e abuzimeve gjithandej nëpër botë”.

Sicred