KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, senati kalon legjislacionin për reformën e taksave

SHBA, senati kalon legjislacionin për reformën e taksave

Me 51 vota pro dhe 48 kundër, Senati amerikan ka miratuar projekligjin e presidentit Tramp që parashikon ndërmarrjen e reformës më të madhe tatimore të tre dekadave të fundit në SHBA. Republikanët thonë se ulja e taksave për korporatat, bizneset e vogla dhe individët do të nxisin rritjen ekonomike. Ndërsa demokratët, të cilët votuan të gjithë kundër, argumentuan se reforma është projektuar në përfitim të shumë të pasurve dhe në kurriz të defiçitit kombëtar. Votimi i projektligjit nga Senati pasoi votimin e tij nga Dhoma e Përfaqësueve, por projektligji pritet të kthehet sërish në dhomën e ulët pasi u vu re që nuk u ndoqën disa rregulla të nevojshme proceduriale për kalimin e tij. Më pas, ai pritet të shkojë në Shtëpinë e Bardhë dhe nëse kalon, ashut siç edhe pritet, projektligji do të jetë triumfi i parë më i madh legjislativ i presidentit Tramp. Sipas këtij projektligji, taksat e korporatave do të jenë në nivelin 21 përqind nga 35 që janë aktualisht. Projektligji gjithashtu do të ulë nivelin e taksave për individët, megjithëse në mënyrë të përkohshme. Element tjetër të këtij legjislacioni përfshijnë reduktimin e taksës së trashëgimisë si dhe uljen e taksave për fitimet jashtë vendit. Reforma tatimore është një lajm i mirë për bizneset, veçanërisht për korporatat shumëkombëshe dhe industritë e pronësisë tregtare. Nga ajo përfitojnë, shumë të pasurit dhe prindërit që dërgojnë fëmijët në shkolla private. Megjithatë, familjet që jetojnë në shtetet me kosto të lartë dhe taksa të larta si dhe personat që i paguajnë vetë kontributet shëndetësore mund të pësojnë humbje nga kjo reformë.

Sicred