KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, pengohen emigrantët nga Meksika

SHBA, pengohen emigrantët nga Meksika

Qindra emigrantë që udhëtuan së bashku në një karvan janë penguar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët amerikanë të kufirit u thanë rreth 150 personave, shumica e të cilëve udhëtonin me fëmijë, se pika e kalimit kufitar mes Meksikës dhe SHBA-së në afërsi të San Diegos, ishte plot. Nuk është bërë menjëherë e ditur nëse emigrantët nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori do të lejohen të hyjnë më vonë apo do të kthehen pas.
Presidenti Donald Trump thotë se karvani është një kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ka premtuar se do të dërgojë ushtrinë për të siguruar kufirin jugor të vendit me Meksikën.
Një nga organizatorët e udhëtimit, tha se asnjë në grup nuk i ishte nënshtruar procedurave zyrtare në doganën amerikane. Zyrtarët thanë se në pikën e kalimit është arritur kapaciteti maksimal dhe individët duhet të presin në Meksikë ndërsa oficerët punojnë për të ezauruar procedurat e nevojshme për ata që kanë kaluar. Bëhet fjalë për një grup azilkërkuesish, pjesa më e madhe e tyre nga Hondurasi. Ata u nisën drejt SHBA, më 25 mars, nga Meksika jugore, afër kufirit me Guatemalën. Grupi ka udhëtuar me autobusë, tren dhe më këmbë gjatë rrugëtimit të tyre prej 3200 km deri në kufirin amerikan.

Sicred