KRYEFAQJA » LAJME » SHBA: Nxisim BE ti ofrojë shanset e integrimit Shqipërisë

SHBA: Nxisim BE ti ofrojë shanset e integrimit Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin europian të Shqipërisë dhe veçanërisht hapin në pritje të çeljes së negociatave. Komiteti Kombëtar i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ka konkluduar kështu qëndrimin për Shqipërinë në raportin e hartuar së fundmi “koha për veprim në Ballkanin perëndimor”. Duke vlerësuar reformat e vështira të ndërmarra për këtë proces, pas një rruge të gjatë që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, SHBA nxisin kapjen e kësaj mundësie për integrimin e mëtejshëm në Europë me konsolidimin e reformave europiane në të njëjtën kohë që edhe BE duhet të tregojë vullnet për ofrimin e stimujve të përkohshëm. Raporti i hartuar me statusin për këshillimin e diplomacisë amerikane rekomandon gjithashtu edhe për faktorin shqiptar në rajon duke e konsideruar vazhdimin e mbështetjes për qeverinë e kolacionit në Maqedoni të bazuar në partneritet mes sllavëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve.
Situata tjetër e rekomanduar për qëndrim të Shteteve të Bashkuara lidhet me atë që mediat serbe kanë bërë të ditur si një plan për Kosovën, përkundrejt integrimit europian të Serbisë. Raporti bën fjalë për nevojën e rigjallërimit të dialogut Serbi – Kosovë, prej nga do të duhet të dalë pranimi i Kosovës nga Serbia. Mediat serbe e lidhin këtë zhvillim me ambasadorët e pesëshes (SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia) të cilët ishin në Uashington disa ditë më parë, duke përfunduar se fati i Serbisë po vendosej në Uashington, në të njëjtën kohë që e komentojnë këtë si plani më favorshëm për Serbinë sesa çdo plan tjetër. Plani e ka të artikuluar qartë se Serbisë nuk do t’i mundësohet asnjë hap për në BE nëse nuk e njeh Kosovën.

(Visited 14 times, 14 visits today)