KRYEFAQJA » LAJME » SHBA mbështet Reformën në Drejtësi
SHBA mbështet Reformën në Drejtësi

SHBA mbështet Reformën në Drejtësi

Reforma në Drejtësi ka ardhur në terma të drejtpërdrejtë mbështetje nga SHBA. Zëvendës-Këshilltare e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, McFarland ia rikonfirmoi ministrit të jashtëm shqiptar Bushati gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë. Siç bëjnë të ditur burimet zyrtare shqiptare, bisedimet në sallën “Roosevelt” kanë prekur konsolidimin e partneritetit strategjik SHBA – Shqipëri, sidomos në fushat me interes afatgjatë për sigurinë dhe mirëqenien e të dyja vendeve, por dhe sfidat e sigurisë në rajonin me angazhimin parimor të Shqipërisë në këtë kontekst.
Zonja McFarland siguroi se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht partneritetin strategjik me Shqipërinë” sa dhe jetësimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës dhe në veçanti përpjekjet e Shqipërisë për jetësimin e Reformës në Drejtësi. Ministri i jashtëm shqiptar ka veçuar “nevojën për të bashkërenduar përpjekjet për të konsoliduar orientimin euroatlantik dhe për të përmirësuar mjedisin e sigurisë në rajon, në përgjigje të faktorëve që synojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor duke penguar kursin e reformave transformuese”.
Sipas të njëjtit burim zyrtar, zonja McFarland dhe dhe zoti Bushati kanë biseduar dhe në vazhdën e takimit të Koalicionit Global kundër ISIS që u mbajt në Washington në muajin mars, sidomos për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, si dhe masave të marra nga Shqipëria për parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Zv/këshilltarja e presidentit amerikan vlerësoi rolin aktiv të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, në kuadër të Koalicionit Global kundër ISIS, kontributet në misionet dhe operacionet e NATO-s në kufijtë jugorë dhe lindorë të Aleancës, si dhe peshën specifike të Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.