KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, kritika për deklaratat e Trampit mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane
Helsinki, Trampi takohet me Putinin

SHBA, kritika për deklaratat e Trampit mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane

Në SHBA është pritur me breshëri kritikash deklarata e djeshme e presidentit Donald Tramp i cili u shpreh gjatë një konference me homologun rus Vladimir Putin se Rusia nuk ka patur asnjë arsye për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Në një konferencë për mediat pas samitit, zoti Tramp u pyet nëse besonte agjencitë amerikane të inteligjencës apo presdientin rus kur vinte fjala për pretendimet për përfshirjen ruse në zgjedhje. “Presidenti Putin tha se nuk është Rusia. Nuk shoh ndonjë arsye se pse duhet të jetë” u përgjgj ai.
Kreu i Dhomës së Përfaqësueve, republikani Pol Rajan, tha se zoti Tramp duhet të shohë se Rusia nuk është aleati i Amerikës. “Nuk ka ekuivalencë morale mes Shteteve të Bashkura dhe Rusisë, e cila është armiqësore ndaj idealeve dhe vlerave tona themelore” u shpreh Rajan në një deklaratë për shtyp, ku gjithashtu shtoi se nuk vihen në diskutim çështja se Moska ka ndërhyrë në zgjedhje.
Senatori Xhon MekKein, anëtar kyçi i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, gjithashtu e quajti deklaratën e Trampit një performancë të turpshme. “Asnjë president më parë nuk e ka ulur kaq shumë veten para një tirani” u shpreh MekKein.
Një tjetër republikan, senatori Lindsey Graham, gjithashtu anëtar i të njëjtit komitet, shkruajti në tuiter se konferenca e Trampit me Putinin, ishte një mundësi e humbur për ta bërë Rusinë përgjegjëse për ndërhyrje në zgjedhjet.
Ish Drejtori i CIA-s Xhon Brenan tha se konferenca e zotit Tramp s’ishte gjë tjetër përveçse tradhëti. “Komentet e Trump jo vetëm që ishin pa mend, por ai ishte gjatë gjithë kohës në xhepin e Putin. Ku jeni, o Patriotë Republikanë? ” shkruajti ai në Tuiter. Shefi i inteligjencës kombëtare, i zgjedhur nga vetë presidenti, Den Kots doli kundër tij. “Rusia është përgjegjëse për përpjekjet e vijueshme për të minuar demokracinë amerikane” tha ai. Ndërkohë zëvendëspresidenti Majk Pens e mbrojti samitin dhe vlerësoi presidentin Tramp.

Sicred