KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA: Jo militarizimin e Kinës në ishujt e Kinës jugore

SHBA: Jo militarizimin e Kinës në ishujt e Kinës jugore

Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranojnë militarizimin e Kinës në ishujt në Detin e Kinës Jugore. Paralajmërimi ka ardhur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Mattis. Duke folur në një konferencë për sigurinë në Singapor, Mattis u shpreh se të tilla lëvizje dëmtojnë stabilitetin rajonal. Pretendimet territoriale të Kinës në Detin plot burime të Kinës Jugore kundërshtohen nga kombe si Taivani, Vietnami, Filipinet, Malajzia, Brunei dhe vetë Kina. Tensionet mbi Detin e Kinës Jugore janë shtuar që prej korrikut 2016, kur një gjykatë vendosi kundër pretendimeve territoriale kineze, vendim të cilin Pekini nuk e respektoi. Presidenti Donald Trump dhe të tjerë zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar vazhdimisht se ata do të mbrojnë interesat e tyre në Detin e Kinës Jugore, një rrugë kryesore detare. Sidoqoftë, nga forumi në Singapor, Gjenerali Mattis prezantoi një marrëdhënie të mirë mes SHBA-së dhe Kinës, duke thënë se teksa gara mes dy vendeve “është e destinuar të ndodhë, konflikti mes tyre nuk është i pashmangshëm”. Megjithatë, pyetja më e madhe për delegatët aziatikë që ndoqën forumin lidhet me rolin që Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të luajnë në rajon. Përtej toneve paralajmëruese, Gjenerali Mattis ka përgëzuar përpjekjet e Pekinit për të frenuar aktivitetin bërthamor të Koresë së Veriut. Komentet e tij erdhën vetëm pak pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara zgjeroi sanksionet ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të një serie testesh me raketa të kryera gjatë këtij viti.

Sicred