KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA: Jemi gati për sulme të tjera në Siri

SHBA: Jemi gati për sulme të tjera në Siri

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për të goditur sërish Sirinë nëse përsëriten sulme të tjera kimike. Ky paralajmërim vjen pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa 3 qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë. Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët. Vala e sulmeve është më e madhja ndonjëherë ndaj qeverisë së Presidentit sirian Bashar al-Assad nga fuqitë perëndimore në 7 vitet e luftës civile në Siri. Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u hodh poshtë një kërkesë të Rusisë për të dënuar sulmet e udhëhequra nga SHBA-të. Rusia e akuzoi Perëndimin për sulmet që erdhën pa pritur rezultatet e hetimit të sulmit të dyshuar kimik në Douma. Rusia u shpreh se SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Francë u sollën si huliganë dhe “treguan shpërfillje ndaj ligjeve ndërkombëtare”. Ndërsa Pentagoni nxitoi të paraqiste suksesin e operacionit dhe saktësinë e tij. Ushtarakët amerikanë raportuan se 76 raketa goditën qendrën kërkimore ‘Barzah’ të zhvillimit të armëve kimike pranë Damaskut. Më shumë se 30 raketë të tjera shkatërruan dy objektivat e tjerë, depon dhe bunkerin e armëve kimime në afërsi të qytetit të Homsit. Shifra që impresionojnë dhe që sipas Pentagonit e çuan disa vite pas, programin sirian për armët kimike.

Sicred