KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA, bllokohen programet e printimit në 3D të armëve

SHBA, bllokohen programet e printimit në 3D të armëve

Një gjykatës federal në Seattle të Shteteve të Bashkuara bllokoi publikimin e një programi kompjuterik që u lejon klientëve të printojnë në 3D nga interneti armë zjarri. Grupi që përkrah qasjen ndaj armëve, “Defense Distributed” publikoi për shkarkim skemat e armëve 5 ditë më parë. Firma në fjalë kishte arritur një marrëveshje me administratën e presidentit Trump gjatë qershorit, për t’i lejuar asaj publikimin ligjor të planeve. Por, 8 shtete dhe Distrikti i Kolumbias paditën qeverinë me synimin për të bllokuar këtë marrëveshje, duke argumentuar se armët e pagjurmueshme përbënin një rrezik për sigurinë. Gjykatësi amerikan, Robert Lasnik lëshoi një urdhër të përkohshëm bllokimi, vetëm pak orë para afatit përfundimtar të 1 gushtit, duke thënë se skemat në fjalë mund të binin në duart e gabuara. Edhe pse “Defense Distributed” pritej t’i publikonte skemat sot, ajo kishte ngarkuar në internet të dhënat për 9 lloje armësh gjatë javës së kaluar. Mes të premtes dhe të dielës, më shumë se 1.000 persona shkarkuan skemat për krijimin e një arme automatike “AR-15”, e njëjta armë që është përdorur në shumicën e rasteve me vrasje masive në Shtetet e Bashkuara. Publikimin e tyre e kanë kundërshtuar shtetet e Uashingtonit, Nju Jorkut, Massachusettsit, Connecticutit, Pennsilvanisë, Oregonit, Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias.

Sicred