KRYEFAQJA » LAJME » Bota » SHBA shfuqizon programin DAKA

SHBA shfuqizon programin DAKA

Skema e administratës “Obama” për të mbrojtur emigrantët e rinj pa dokumente do të eliminohet. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhef Sëshëns konfirmoi zyrtarisht vendimin e qeverisë, duke thënë se programi i njohur me siglën “DAKA”, të cilin e cilësoi një mënyrë për të shmangur ligjet e emigracionit, do të zhbëhet gradualisht. “DAKA”, ose Shtyrja e Veprimit ndaj Emigrantëve Fëmijë, u miratua nga presidenti amerikan Barak Obama në vitin 2012 dhe mbron rreth 800 mijë emigrantë, kryesisht nga vendet latine, që mbërritën në SHBA ilegalisht si të mitur. Presidenti Donald Trump u shfaq i ashpër ndaj emigracionit gjatë fushatës dhe premtoi anulimin e “DAKA”-s sapo të zgjidhej, megjithëse më vonë pranoi se ishte një temë shumë e vështirë. Vendimi i qeverisë u sulmua nga demokratët dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi e cilësoi një akt politik mizor frike. Edhe ish-presidenti Barack Obama, nismëtari i skemës mbrojtëse për emigrantët  e rinj, e quajti “një mizori” vendimin e administratës aktuale. Duke iu drejtuar Kongresit, Obama e cilësoi lëvizjen e Trump sa mizore, aq edhe të gabuar. Falë skemës së aprovuar prej tij 5 vite më parë, të ashtëquajturit “ëndërrimtarë”, shumica latino-amerikanë, ishin në gjendje të siguronin punë dhe leje studimi. Por, administrata e Trump argumenton se programi, për zbatimin e të cilit Obama anashkaloi aprovimin e Kongresit, është antikushtetutes. Policia në Nju Jork arrestoi me dhjetëra vetë kur një grup i madh protestuesish u mblodhën përpara kullës Trump për të kundërshtuar vendimin e tij, megjithatë nuk pati episode dhune. Një betejë e re politike hapet në Uashington, ndërkohë që në të gjithë vendin qindra mijëra të rinj janë para një të ardhmeje të paqartë.

Sicred