KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sërish akuza ndaj ish drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit Xhejms Komi

Sërish akuza ndaj ish drejtorit të Byrosë Federale të Hetimit Xhejms Komi

Një raport i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka vënë në dukje faktin se ish drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Xhejms Komi ka shkelur rregullat e departamentit dhe ka vepruar në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe të pabindur, por jo për shkak të dashakeqësisë politike, gjatë hetimit për cështjen e emailieve të Hilari Klinton. Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë Majkëll Horouitz tha se Komi ka shkelur në mënyrë dramatike normat e FBI-së dhe departamentin gjatë hetimit për e-mailet e Klinton. Zonja Klinton e ka akuzuar ish-drejtorin e FBI-së për humbjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Raporti gjithashtu nxjerr në pah se Komi ka përdorur llogarinë e e-mailit privat për të kryer punë zyrtare të FBI-së. Drejtori aktual i Byrosë, Kristofer Urej, tha se i pranonte gjetjet e raportit, por shtoi se asgjë në dokument nuk tregonte se FBI si institucion kishte qenë politikisht e njëanshme. Në raportin e tij, inspektori i përgjithshëm kritikoi vendimin e zotit Komi për të bërë publike një javë para zgjedhjeve faktin se ai kishte rihapur hetimin për emailet e Klinton. Sipas raportit ndërsa veprimet e zotit Komi nuk ishin rezultat i njëanshmërisë politike, duke u shkëputur qartësisht dhe në mënyrë dramatike nga normat e FBI-së, vendimet e tij ndikuan në mënyrë negative perceptimin e FBI-se dhe departamentit si administratorë të drejtësisë. Raporti me 500 faqe gjithashtu nënvizon faktin se mes zotit Komi dhe ish Kryeprokurores së Përgjithshme Loreta Linç ka munguar në mënyrë totale komunikimi i drejtpërdrejtë mes tyre.

Sicred