KRYEFAQJA » LAJME » Serbia tërheq diplomatët nga Shkupi

Serbia tërheq diplomatët nga Shkupi

Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka tërhequr të gjithë stafin nga ambasada e saj në Shkup. Arsyeja për këtë vendim nuk u bë fillimisht e ditur, ndërkohë që ambasada serbe u kishte kërkuar autoriteteve të Shkupit të rrisnin sigurinë e objekteve të ambasadës, një kërkesë kjo që ishte adresuar nga ministria maqedonase e rendit. Sipas agjencisë serbe të lajmeve BETA, stafi i ambasadës u thirr për konsultime urgjente në Beograd. Ndërkohë, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç u shpreh sot për agjencinë e lajmeve Tanjug se do të rivlerësohet aftësia dhe kapaciteti i personelit serb në Ambasaden e Shkupit, ndërkohë që sipas tij ka prova se shërbime të inteligjencës maqedonase janë angazhuar kundër Serbisë dhe ambasadës së saj. Sipas Daçiç, shteti serb do të marrë të gjitha masat në mbrojtje të interesave që ka ne Maqedoni. “Javën e ardhshme, pas takimit që do të kemi edhe me Presidentin Vuçiç, një numër i personelit do të kthehet sërish në Shkup, ndërsa ambasadori më vonë”, u shpreh Daçiç për agjencinë Tanjug. Ministri i jashtëm serb theksoi se Serbia dëshiron të ketë marrëdhënie marrëdhënie të mira me Maqedoninë, por detyrë parësore është mbrojtja e interesave të shtetit. Sipas Zërit të Amerikë  gjatë muajve të fundit, ministri serb i punëve të jashtme Ivica Daçiç është shprehur disa herë që vendi i tij kishte bërë gabim që e kishte njohur fqinjin jugor me emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë” dhe jo me referencën ndërkombëtare “FYROM”.

Sicred