KRYEFAQJA » LAJME » Senatori amerikan Mërfi në Maqedoni, i shqetësuar për shqiptarët
Senatori amerikan Mërfi në Maqedoni, i shqetësuar për shqiptarët

Senatori amerikan Mërfi në Maqedoni, i shqetësuar për shqiptarët

Senatori amerikan, Kris Mërfi ka ndarë çështjen shqiptare në bisedimet në Maqedoni me kryeministrin Zoran Zaev. Njoftimi zyrtar i senatorit para takimit në Maqedoni ka bërë të ditur se referenca e bisedimeve do të përfshinte shqetësimet e komunitetit shqiptar të Konektikatit rreth trajtimit të familjarëve të tyre në Maqedoni. “Si mik i vjetër i rajonit të Ballkanit dhe përfaqësues i mijëra votuesve shqiptaro-maqedono-amerikanë, ndjej emocione për takimet që do të kem dhe për idetë të cilat do t’i sjell prej atje. Kam dëgjuar shumë shqetësime nga komuniteti shqiptar në Konektikat rreth trajtimit të familjarëve të tyre në Maqedoni. Synoj t’i ngre këto shqetësime për të gjetur mënyra për forcimin e politikave anti-diskriminuese me kryeministrin (Zaev)” citohet të ketë thënë senatori Mërfi.
Ndërkohë pas takimit zyra e kreut të ekzekutivit të Maqedonisë njofton mes të tjerash se senatori amerikan e ka inkurajuar kryeministrin dhe qeverinë e Maqedonisë që të realizojnë ndryshimet pozitive për vendin. Kryeministri Zaev publikohet të ketë dhënë garanci se qeveria e tij është e vendosur të krijojë “një shoqëri për të gjithë” mbi të cilin ndërtohet Maqedonia dhe për reformat e marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje. “Po bëjmë politika përfshirëse dhe dialog mirëkuptimi dhe presim që kjo të vlerësohet për hapjen e dyerve të NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë”, është shprehur Zaev, sipas komunikatës.
Senatori Krist Mërfi anëtar i Nënkomisionit për Marrëdhënie me Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale, mori pjesë të dielën edhe në një ceremoni të shënimit të 75 vjetorit të holokaustit në Maqedoni, e cila ishte pjesë e mbretërisë jugosllave kur u pushtua nga gjermanët dhe administrohej nga bullgarët si aleat të gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se 7 mijë hebrenjë nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi ishin futur nëpër geto në mars të vitit 1943 para se të deportoheshin në kampin nazist në Treblinka të Polonisë. Rreth 98 për qind e hebrenjve të Maqedonisë ishin zhdukur. Vizita e senatori Murphy në Shkup i paraprinë vizitës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Mitchell i cili qëndron të martën në Maqedoni, pas Kosovës ku siç thuhet në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, “do të inkurajojë qeverinë e Kosovës që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Sicred