KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Senati amerikan konfirmon emërimin e Gina Haspel në krye të CIA-s

Senati amerikan konfirmon emërimin e Gina Haspel në krye të CIA-s

Me 54 vota pro dhe 45 kundër, Senati amerikan konfirmoi emërimin e Gina Haspel në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Veterania e kësaj agjencie bëhet edhe gruaja e parë në krye të saj, pavarësisht shqetësimeve të ngritura mbi rolin e saj në CIA kur ajo u angazhua në një program të zgjeruar të marrjes në pyetje pas sulmeve të 11 shtatorit. Në këtë program u përdorën disa taktika që gjerësisht konsiderohen si tortura. Haspel, e cila mbikqyri edhe një burg sekret të CIA-s në Tajlandë, u përball me kritika edhe për rolin e saj në shkatërrimin e kasetave ku ishin regjistruar seancat e marrjes në pyetje. Pavarësisht kundërshtive për kualifikimin e Haspelit, gjashtë demokratë votuan në favor të saj. Një prej tyre, senatori i Virxhias, Mark Uarnër, tha se përmes një letre dërguar atij, zonja Haspel ishte shprehur se agjencia nuk duhet të kishte zbatuar kurrë të ashtuquajturat teknika të zgjeruara të marrjes në pyetje. Ai theksoi se zonja Haspel i ishte betuar se nuk do të përdorte kurrë më metoda të tilla, edhe nëse presidenti do ia kërkonte një gjë të tillë. Dy republikanë votuan kundër saj, çka do të thotë se ajo nuk do të ishte konfirmuar pa mbështetjen e demokratëve. Zonja Haspel zëvendëson në detyrën e kreut të CIA-s, zotin Majk Pompeo, i cili është tashmë sekretar shteti.

Sicred