KRYEFAQJA » LAJME » Sekuestrohet pasuria e Admir Murataj

Sekuestrohet pasuria e Admir Murataj

Admir Murataj i cilësuar si truri i grabitjeve të parave të bankave të nivelit të dytë rezulton të ketë në emër të tij dhe të familjarëve pasuri në miliona euro. Për pasuritë e vëna, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dalë në konkluzion se nuk justifikohen dhe në bazë të dënimit të dhënë, pak ditë më parë për grupin e grabitjeve të parave të bankave në total 106 vite burgim, ka kërkuar sekuestrimin e tyre.
Prokuroria ka arritur të faktojë pjesmarrjen e Admir Murataj dhe grupit të tij në tre grabitje. Bëhet fjalë për atë të 13 Shkurtit 2015, pranë stacionit të trenit ku u morën rreth 1 milion e 800 mijë euro në valutë, për grabitjen e 3 Dhjetorit 2015 në Qafë Kashar, banda e Murataj arriti të marrë rreth 2.8 milionë euro në valutë teksa blinda po i dërgonte ato në Rinas.
Gjithashtu, Prokuroria ka arritur të zbardhë përfshirjen e Muratajt në grabitjen e 9 Shkurtit 2017 në rrugën e Rinasit ku u grabitën rreth 3.4 milionë euro në valutë. Për të treja rastet është gjykata që ka dënuar 8 persona në total 106 vite burgim, ndërsa për trurin e grabitjeve Admir Murataj ende nuk është zhvilluar gjykimi për shkak se deri më 9 prillin e këtij viti rezultonte në kërkim.
Dyshimet por edhe fakti se Admir Murataj u vra gjatë arratisjes me rreth 10 milionë euro, e përfshijnë atë edhe në në organizimin dhe realizimin e grabitjes në pistën e Rinasit. Për këto episode, përveç anëtarëve të grupit që u kapën dhe u dënuan, prokuroria nisi hetimin pasuror për të gjithë familjarët e Admir Muratajt dhe në fund kërkoi masën e sekuestros për 300 mijë euro dhe 16 pasuri nga makinat luksoze, vilat, apartamente, pemëtore dhe të tjera.
Prokuroria shpërndau listën me 16 pasuritë që 14 familjarëve të Admir Muratajt janë sekuestruar. Sipas prokurorisë, Admir Murataj, vëllezërit e tij Can dhe Aleksandër Murataj, gruaja, por edhe anëtarë të tjerë të familjes nuk i justifikojnë pasuritë që kanë duke krijuar dyshime se janë vendosur nga veprimtaria kriminale.
Këtë të premte Prokuroria kërkoi sekuestrimin e 3 apartamenteve në Tiranë dhe Sarandë, një garazhdi, dy vilave në Prezë, rreth 500 m2 truall në Yzberisht dhe rreth 600 metër katrotë pemëtore në zonën e Bathores në Kryeqytet.  Sekuestri është kërkuar edhe për 8 automjete luksoze të llojeve të ndryshme dhe 1 motocikletë.

Sicred