KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis lajmëron dorëheqjen
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis lajmëron dorëheqjen

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis lajmëron dorëheqjen

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, do të largohet nga posti në fillim të vitit të ardhshëm, pasi, siç tha në letrën e dorëheqjes, pikëpamjet e tij nuk janë plotësisht “të përafërta” me ato të presidentit Donald Trump. Letra e tij u bë publike shumë shpejt pasi Trump shkroi në Twitter se Mattis do të dalë në pension në fund të muajit shkurt. “Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të detyrimeve ushtarake”, shkroi Trump në Twitter. Lajmi për largimin e Mattisit vjen në javën kur Trump njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria. Në letrën e tij të dorëheqjes, Mattis tha se i ka trajtuar aleatët me respekt dhe se ka përdorur “të gjitha mjetet e fuqisë amerikane për të siguruar mbrojtje të përbashkët”. “Meqë keni të drejtë të keni një sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit janë më të harmonizuara me të tuat mbi këto dhe subjekte të tjera, besoj se është e drejtë që unë të jap dorëheqje”, shkroi gjenerali Mattis në letrën e tij.
Mediat amerikane raportojnë se Mattis dhe ndihmës të tjerë të sigurisë kombëtare e kanë kundërshtuar vendimin e Trumpit për tërheqje nga Siria, duke thënë se ai i bën fitues Iranin, Rusinë dhe Turqinë. Mattis, 69 vjeç, gjeneral i marinsave me katër yje dhe me një karrierë prej 40 vjetësh, ka qenë një nga anëtarët më të respektuar të administratës Trump dhe ka gëzuar respekt edhe nga demokratët, edhe nga republikanët. Mattis u bë Sekretar i Mbrojtjes pak pas fillimit nga detyra të presidentit Trump dhe është një nga anëtarët më jetëgjatë të kabinetit.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com