KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Sejko: E ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me integrimin në BE
Sejko: E ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me integrimin në BE

Sejko: E ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me integrimin në BE

Sfidat me të cilat përballen bankat qendrore një dekadë pas krizës dhe zhvillimet ekonomike të vendeve, roli i bankave qendrore në rritjen ekonomike nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit financiar, politikat monetare dhe masat e ndryshme të aplikuara në këtë drejtim, janë diskutuar në Konferencën e 7-të vjetore të Kërkimeve të organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë, që u mbajt në Ohër, Maqedoni.
Guvernatori i BSH Gent Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike shqiptare duke u ndalur te zhvillimet ekonomiko-financiare dhe ndikimet e mundshme të normalizimit të politikës monetare. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme duke dhënë kontributin e saj në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit. Zoti Sejko tha se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e financimit të sektorit privat, ka nxitur rritjen e kreditimit në lekë dhe ka ndihmuar në përmirësimin e gjendjes financiare të huamarrësve.
Prioritetet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, vazhdimin e planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Një tjetër çështje e trajtuar nga guvernatori Sejko, ishte dhe rëndësia e kombinimit të duhur të politikave makroekonomike ku një rol kyç luan koordinimi i politikës monetare me atë fiskale.
Guvernatori Sejko nënvizoi rëndësinë e reformave të mëtejshme për të përmirësuar modelin e zhvillimit të vendit dhe ambientin e biznesit, si dhe për të ecur përpara në procesin e integrimit.
Në përfundim, Guvernatori Sejko u shpreh se e ardhmja politike afatgjatë dhe prosperiteti ekonomik, lidhen ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi dhe kuadri institucional kanë rol kontribues në procesin e konvergjencës, megjithatë bankat qendrore, si politikëbërës, duhet të marrin masat e nevojshme për përgatitjen e ekonomisë për procesin e anëtarësimit.

Sicred