KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Së shpejti një takim mes Putinit dhe Trampit
Trampi fton Putinin për vizitë në SHBA

Së shpejti një takim mes Putinit dhe Trampit

Moska dhe Uashingtoni kanë arritur një marrëveshje për mbajtjen së shpejti të takimit të presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Tramp, një lëvizje kjo që ka gjasa të shqetësojë aleatët e Shteteve të Bashkuara por dhe të acarojë kritikët e Tramp në Amerikë. Burime pranë Kremlinit kanë konfirmuar lajmin pas një takimi të zhvilluar në Moskë mes këshilltarit të Tramp për sigurinë kombëtare, John Bolton dhe presidentit Putin. “Ky takim ka kohë që përgatitet dhe ka një rëndësi të madhe për marrëdhëniet mes Amerikës dhe Rusisë, por edhe për gjithë situatën ndërkombëtare”, ka deklaruar Juri Ushakov.
Por një takim i tillë pritet të ngjallë pakënaqësi tek aleatët e Amerikës, si për shembull Britania e Madhe që synon të izolojnë Putin; apo tek vendet europiane që janë të shqetësuara për qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Ushakov ka bërë me dije se Moska dhe Uashingtoni do ta njoftojnë kohën dhe vendin e takimit ditën e enjte, ndërsa ka shtuar se Tramp dhe Putin do të bisedojnë kokë më kokë për disa orë e më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndërkohë, në mediat amerikane përflitet se takimi do të mbahet në mes të korrikut, në një vend të tretë dhe shanset janë që të jetë kryeqyteti i Finlandës, Helsinki. Por përveç aleatëve, eventi i shumëpritur pritet të shkaktojë edhe pakënaqësi të brendshme në Shtetet e Bashkuara, ku Kongresi ka aprovuar dy herë gjatë presidencës Trump rinovimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Sicred