KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Samit historik mes dy Koreve

Samit historik mes dy Koreve

Kim Jong-un do të bëhet të premten lideri i parë koreano verior që do të kalojë kufirin për në territorin e Koresë së Jugut që nga përfundimi i luftës koreane në vitin 1953. Zyrtarë të koresë së jugut bënë të ditur se presidenti i vendit Moon Jae-in do të takohet personalisht me zotin kim në kufi në orën 9.30 me orën lokale. Lideri koreano verior do të kalojë vijën e demarkacionit ushtarak për në pjesën jugore të Zonës së Demitarilizuar. Atje ai do të pritet nga Presidenti Muun dhe të dy do të ecin drejt Shtëpisë së Paqes, një qendër konferencash në Panmunxhon apo siç quhet ndryshe fshati i armëpushimit. Bisedimet historike do të përqëndrohen mbi faktin që veriu ka lënë të kuptohet së fundmi se mund të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. Samiti mes dy liderëve vjen pas vitesh tensionesh. Por Seuli ka paralajmëruar se do të jetë e vështirë arritja e një marrëveshjeje që synon që Peniani të heqë dorë nga armët bërthamore pasi teknologjia nukleare dhe raketore e vendit komunist ka avancuar shumë qëkur palët mbajtën bisedime mes tyre. – Pjesa më e vështirë është në ç’nivel dy liderët do të jenë të aftë të arrijnë një marrëveshje në lidhje me gadishmërinë për t’u denuklearizuar, – u shpreh zëdhënësi presidencial i Koresë së Jugut. Takimi, i treti i këtij lloji mbajtur që nga viti 2000 është rezultat i marrëdhënieve në përmirësim mes dy koreve dhe hap rrugën për një takim të mundshëm mes zotit Kim dhe Presidentit Amerikan Donald Tramp. Përveçse do të flasin për ambiciet bërthamore të Penianit, liderët priten të diskutojnë rrugën për të arritur paqen në gadishull, në mënyrë që t’i jepet fund zyrtarisht luftës koreane të viteve 1950-1953. Në axhendën e diskutimeve do të jenë edhe një sërë çështjesh ekonomike dhe zyrtare.