KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Sulmi në Duma të Sirisë, Rusia parajmëron SHBA-të për ndonjë veprim të mundshëm ushtarak

Sulmi në Duma të Sirisë, Rusia parajmëron SHBA-të për ndonjë veprim të mundshëm ushtarak

Rusia i ka kërkuar SHBA-ve të shmangin ndërmarrjen e ndonjë aksioni ushtarak në kundërpërgjigje të një sulmi të pretenduar kimik në Duma të Sirisë. – Do t’ju kërkoja sërish që t’i shmangeni planeve që po zhvilloni aktualisht, – u shpreh i dërguari rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Vasili Nebenzia, i cili paralajmëroi Uashingtonin se do të mbante përgjegjësi për cdo aventurë të paligjshme ushtarake që do të ndërmerret. Paralajmërimi erdhi gjatë një takimi të tensionuar të Këshilli të Sigurimit, që dështoi në miratimin e masave që synonin fillimin e një hetimi ndaj sulmit në fjalë. Si anëtarë të përhershëm të këtij këshilli, Rusia dhe SHBA-të, kanë të dyja të drejtën e vetos. Të dy këto vende bllokuan propozimet e njëra-tjetrës për të ngritur grupe të pavarura hetimi. Një ekip i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të zbarkojë së shpejti në Siri për të përcaktuar nëse në Duma kanë qenë përdorur armë të ndaluara, por kjo organizatë nuk do të synojë nxjerrjen e përgjegjësve për sulmin. Ndërkohë, liderët perëndimorë janë shprehur se kanë rënë dakord të punojnë bashkë për të shenjestruar personat përgjegjës për sulmin në Duma. Presidenti Francez Emanuel Makron tha se çdo sulm i mundshëm do të shenjestronte objektet kimike të qeverisë sirane. Presidenti amerikan Donald Tramp ka premtuar se SHBA do të përgjigjet forcërisht. Tramp dhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Xhejms Matis, kanë anulluar udhëtimet e planifikuara këtë javë për t’u marrë me këtë çështje. Aktivistë të opozitës sirane, punonjës të shpëtimit si dhe mjekë janë shprehur se dhjetra persona kanë humbur jetën gjatë një sulmi të dyshuar si kimik ndaj qytetit Duma në krahinën e Gutës Lindore që kontrollohet nga rebelët. Qeveria e presidentit Bashar Al Asad që mbështetet ushtarakisht nga Rusia mohon të ketë qenë pas ndonjë sulmi të tillë.

Sicred