KRYEFAQJA » LAJME » Rusia 2018, Shqipëria mund 2-0 Lihtenshtejnin
Rusia 2018, Shqipëria mund 2-0 Lihtenshtejnin

Rusia 2018, Shqipëria mund 2-0 Lihtenshtejnin

Odise Roshi dhe Ansi Agolli janë heronjtë e mbrëmjes së sotme pasi me golat e tyre i dhuruan Shqipërisë një fitore të çmuar ndaj Lihtenshteinit, në një takim të vlefshëm për eleminatoret e grupit G për botërorin Rusia 2018. Sapo filloi pjesa e dytë Roshi devijoi para porte një top duke shënuar dhe ngritur lart entuziazmin e tifozëve në Elbasan Arena. Në minutën e 78-të ishte Ansi Agolli që me një goditje inteligjente nga krahu i majtë dyfishon rezultatin dhe gëzimin.
I gjithë takimi ishte një ballafaqim i fortë i sulmit shqiptar me mbrojtjen e ekipit modest nga Lihtenshtejni. Traineri i ri i kombëtares shqiptare italiani Kristian Panuçi, i cili regjistroi fitoren e parë në takimin e tij debutues, kishte zgjedhur një 11-she lojtarësh dhe një skemë që synonte me ngulm fitoren. “Nuk ishte e lehtë. Lojtarët luajtën shumë mirë” tha ai pas takimit për RTSH.
Tifozët shqiptarë që kishin zgjedhur ta ndiqnin nga afër takimin në Elbasan Arena, kanë përkrahur me entuziazëm ekipin dhe kanë shijuar ndoshta një nga ndeshjet me të mira të kombëtares shqiptare, pavarësisht se kishte përballë ekipin modest të Lihtenshtejnit.
Shqipëria ngjitet tani në kuotën e 12 pikëve ne grupin G, pas Spanjës dhe Italisë që kanë 16 pikë, dhe po pret me shumë interes takimin mes Maqedonisë dhe Izraelit. Vetë traineri Panuçi tha se më shumë i interesonte Maqedonia me të cilën Shqipëria do të ndeshet të martën në Strumicë. Sipas renditjes Spanja dhe Italia kanë 16 pikë, Shqipëria 12, Izraeli 9, Maqedonia 3 dhe Lihtenshtejni 0 pikë.
Takimi u soll nga rrjeti i RTSH dhe në livestream në www.rtsh.al. RTSH 1HD do transmetojë Itali- Spanjë, ndërsa RTSH 2HD Kroaci – Kosovë.

Formacionet

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli Memushaj, Abrashi, Basha, Roshi, Grezda, Llullaku

Lihtenshtejni: Jehle, Malin, Kaufman, Gopel, Kuintans, Byshel, Viser, Burgmaier, Hasler, Selanoviç, Frik.

Sicred