KRYEFAQJA » LAJME » Rusia 2018, Shqipëria humb 0-1 me Italinë dhe renditet e treta në grup
Rusia 2018, Shqipëria humb 0-1 me Italinë dhe renditet e treta në grup

Rusia 2018, Shqipëria humb 0-1 me Italinë dhe renditet e treta në grup

Shqipëria pësoi një humbje të pamerituar 0-1 nga Italia, në një takim të barabartësh, pavarësisht emrit të madh të fqinjit të saj në futboll. Në minutën e 73 Kandreva arriti ti vidhej mbrojtjes shqiptare dhe me një diagonale të fortë nga e djathta shënoi në portën e Berishës. Goli i italianëve erdhi ndërsa ekipi shqiptar po ushtronte presion ndaj portës së Bufoni, i cili u vu jo pak në vështirësi. 17 minutat e mbetura pavarësisht disa rasteve për shënim nga futbollistët shqiptarë nuk ndryshuan shifrat. Takimi Shqipëri-Itali, pavarësisht rezultatit ishte pa dyshim një prej ndeshjeve më të mira të kombëtares shqiptare e cila përfundimisht zë vendin e tretë në grupin G të eleminatoreve për “Rusia 2018” pas dy prej ekipeve më në zë të futbollit botëror Spanjës dhe Italisë.

Por takimi i sotëm do të mbahet mend edhe për një ngjarje tjetër  emocionuese. Ish kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Canaj i dha lamtumirën futbollit. I emocionuar ai bëri xhiron e lamtumirës mes duartrokitjeve të tifozëve dhe një fanelle gjigande me numrin 5 që ata mbanin në një prej tribunave qendrore të stadiumit, fanellë që Canaj e mbajti kur luajti me kombëtaren. Lorik Canaj konsiderohet si një prej futbollistëve me të mirë në historinë e futbollit shqiptar.  Ai ka qene titullar i ekipit kombëtar në 93 takime, në shumë prej tyre me shiritin e kapitenit.