KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Rusi, Kupa e Konfederatave “provë gjenerale” e Botërorit “Rusia 2018”
Rusi, Kupa e Konfederatave "provë gjenerale" e Botërorit "Rusia 2018"

Rusi, Kupa e Konfederatave “provë gjenerale” e Botërorit “Rusia 2018”

Kupa e Konfederatave tanimë e ka ulur siparin dhe, në përgjithësi, rusët duhet të jenë të kënaqur me mënyrën sesi shkoi ky turne me 8 skuadra, natyrisht, duke lënë mënjanë paraqitjen e skuadrës vendase, që ishte në fakt për t’u harruar.
Të dielën në mbrëmje, Gjermania triumfoi ndaj Kilit në Shën Pjetërburg, duke bërë të vetën trofeun e Botërorit të vogël, ndërsa gjithçka mbetet për t’u pritur deri më 14 qershor të vitit të asrdhshëm, kur në Rusi të zbarkojë festivali më i madh futbollistik në rruzull.
I ideuar si një provë gjenerale, por në shkallë më modeste, i Botërorit të një viti më vonë, Kupa e Konfederatave në Rusi ka konsistuar në ndryshimin e një imazhi që bota ka për vendin organizator. Natyrisht, rusët kishin bërë hapa përpara përsa i përket krijimit të një atmosfere festive sa i përket mikpritjes së tifozëve, lëvizjes së tyre nga një qytet në tjetrin apo komunikimi, ku anglishtja u përdor në një shkallë të pazakontë për qytetet kryesore ruse. “Rusët kanë një reputacion jo dhe aq pozitiv, si njerëz depresivë apo agresivë dhe unë mendoj se Botërori do t’i dëshmojë botës se kjo nuk është aspak e vërtetë”, deklaroi një tifoz vendas 37-vjeçar, duke përmbledhur kështu një nga synimet kryesore të vendit organizator të evenimentit të vitit të ardhshëm.
Natyrisht, kishte edhe avari të vogla, sikundër ndodhi në Moskë, ku atmosfera festive prishej disi nga kolonat e shumta të policisë në ose rreth e rrotull stadiumit. Por kjo ishte e kuptueshme, duke patur parasysh mundësinë e terrorizmit apo edhe huliganizmit famëkeq të rusëve.
Edhe numri i tifozëve nuk ka qenë ai që pritej dhe, madje edhe ndeshjet e përfaqësueses vendase nuk mundën të siguronin stadiume të mbushura plotësisht.
Rusia e kaloi provën e Kupës së Konfederatave, por ende mbeten shumë pikëpyetje se sa kjo provë me vetëm 4 qytete dhe stadiume përkthehet në suksesin e një turneu 3 herë më të madh, me 12 qytete dhe stadiume dhe me të paktën 10-shin e tifozëve të përfshirë në të.

Sicred