KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Rusi 2018”, Senegali mposht Poloninë 2-1

“Rusi 2018”, Senegali mposht Poloninë 2-1

Takimi i fundit i raundit të parë të ndeshjeve në grupe ka qenë ai që u luajt në Stadiumin “Atkritje” të Moskës, midis Polonisë dhe Senegalit, që u fitua nga afrikanët, me rezultatin 2-1. Përkundër pritshmërive, janë senegalezët që e nisin më mirë ndeshjen, përballë një Polonie që bën vëllim më të madh loje, por i mungon agresiviteti. Dhe, sikundër ndodh rëndom në ndeshjet që zhvillohen në nivelin mesatar, do të jenë episodet ato që do të përcaktojnë fatin e ndeshjes dhe i tillë ka qenë ai i minutës së 37-të, kur një top i humbur në mesfushë, çon në një kundërsulm të Senegalit dhe, në një devijim të pafat të mbrojtësit Sionek, topi prehet në rrjetë. Me këtë epërsi minimale të afrikanëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat, loja ka lënë shumë për të dëshiruar, me Senegalin të kënaqur me administrimin e rezultatit dhe me Poloninë të paaftë për të kërcënuar portën kundërshtare. Ashtu si në pjesën e parë një tjetër episod do të sjellë një tjetër gol, pasi gabimet e mbrojtjes dhe portierit polak, Sheznji, i japin mundësi Mbaje Niangut të dyfishojë epërsinë e afrikanëve. Polonia do të reagojë dhe do ta thyejë qëndresën e Senegalit 4 minuta para fundit, por është shumë pak dhe shumë vonë për të shmangur humbjen 1-2.
Sicred