KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Rusi 2018”, Grupi A ul siparin, Uruguai i rrëmben kreun Rusisë
Rusi 2018; Grupi A ul siparin, Uruguai i rrëmben kreun Rusisë

“Rusi 2018”, Grupi A ul siparin, Uruguai i rrëmben kreun Rusisë

E hëna pasdreke ka shënuar nisjen e raundit të 3-të të ndeshjeve në grupe dhe i pari që i ka mbyllur ka qenë Grupi A, ku në fakt verdiktet ishin dhënë që në përfundim të ndeshjeve të dyta, me Rusinë dhe Uruguain të kualifikuar dhe Arabinë Saudite dhe Egjiptin të eliminuar. Për këtë arsye, ndeshjet e fundit kanë vlejtur vetëm për kreun e renditjes në rastin e duelit midis rusëve dhe amerikanolatinëve, me këta të fundit që fituan me shifrat 3-0.

Uruguajanët do të kalojnë në epërsi që në minutë e 10-të, me anë të Luis Suarezit, duke vijuar ta dyfishojnë këtë epërsi 13 minuta më pas, këtë radhë falë një devijim të rusit Çerishev. Vendasit do ta vështirësojnë detyrën e tyre në minutën e 37-të, kur Smolnikov do të marrë kartonin e dytë të verdhë brenda 9 minutash dhe do të dalë me karton të kuq. Me epërsinë dygolëshe të amerikanolatinëve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat, do të sjellin vetëm një gol, në fundin e tyre, kur emrin në listën e shënuesve do ta shkruajë më në fund edhe Kavani.

Ndërkaq, në derbin arab, sauditët kanë kapërcyer pësimin e një goli, duke humbur madje edhe një 11-metërsh, por duke e mundur sidoqoftë Egjiptin me rezultatin 2-1. Sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah do ta gjejë golin, i dyti për të në po aq ndeshje të këtij Botërori, në minutën e 22-të. Por Arabia Saudite do të reagojë dhe pasi Fahad Al-Muualad do të gabojë nga pika e bardhë në minutën e 41-të, kur portieri egjiptian, El Hadari, lojtari më i moshuar që luan në historinë e një Botërori me 14 vjeç e 161 ditë, i mohon golin. Megjithatë Salman Al-Faraxh nuk do të gabojë nga pika e bardhë 4 minuta më vonë, nga një tjetër 11-metërsh i dhënë për sauditët dhe do të mposhtë El Hadarin. Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në fundin e së dytës, Salem Al-Dausari do të shënojë golin e fitores për Arabinë Saudite, që mposht Egjiptin 2-1.

Sicred