KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi: Të angazhuar për Reformën në Drejtësi

Ruçi: Të angazhuar për Reformën në Drejtësi

Kryetari i parlamenti shqiptar Gramoz Ruçi ka dhënë garanci se Shqipëria do të përfshijë në planin e saj kombëtar të gjitha objektivat e Axhendës 2030 për të zbatuar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe angazhimin për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Deklaratat e tij zoti Ruçi i ka bërë në Forumin Rajonal për Zhvillimin e Qëndrushëm që po mbahet në Gjenevë, ku është shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Programi i Zhvillimit të Qëndrueshëm ose Axhenda 2030 dhe 17 objektivat e saj është një program i rëndësishëm edhe për Shqipërinë. Ajo është një pikënisje e cila inkurajon të gjitha vendet, të zhvilluara ose jo, që të punojnë për të përmbushur 17 objektivat globale, për të nxitur mirëqënie dhe begati për të gjithë, pa dallim në 15 vitet që vijnë.
Kryeparlamentari shqiptar Gramoz Ruçi theksoi se Shqiperia do të organizojë një aktivitet paralel mbi kontributin e vendeve të rajonit për zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. ” Qeveria po harton raportin bazë që analizon situatën aktuale në vend kundrejt secilit objektiv dhe planin kombëtar të veprimit që përshkruan hapat që do ndërmerren nga institucionet shtetërore për të përmbushur objektivat” tha zoti Ruçi. “Është ngritur komiteti ndërministror dhe grupi ndërinstitucional i punës për arritjen e objektivave të cilat synojnë sygjerimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për zhvillimin e qëndrueshëm” theksoi ai.
Kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi e shfrytëzoi praninë në Forumin Rajonal për Zhvillimin e Qëndrushëm që po mbahet në Gjenevë, për të deklaruar se Shqipëria dhe parlamenti i saj, janë të angazhuara për zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila është një nga kushtet e komunitetit ndërkombëtar në procesin aktual ku pro pritet çelja e bisedimeve me BE. “Shqipëria, parlamenti në veçanti ka qenë i angazhuar plotësisht në zbatimin e një reforme të thellë dhe të rëndësishme, konkretisht në Reformën në Drejtësi, e cila synon të reformojë sistemin gjyqesor, të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë dhe rritjen e aksesit të publikut tek drejtësia” tha zoti Ruçi. Ai shtoi se “… reformat e ndërrmara nga parlamenti dhe qeveria shqiptare si reforma e administratës publike, në shëndetësi, miratimi i ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare e të tjerë, synojnë të na sjellin gjithnjë e më afër integrimit në BE”.
Presidenti i Forumit Rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ambasadori Michael Gerber vlerësoi Kuvendin e Shqipërisë për miratimin në unanimitet të Rezolutës për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Për të rritur rolin e parlamentit në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, kuvendi miratoi me unanimitet në muajin dhjetor të 2017-ës rezolutën ku ligjvënësit e Shqipërisë angazhohen për të promovuar zbatuar dhe monitoruar axhendën 2030 dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Sicred