KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi takohet me Haradinajn: Të thellohet bashkëpunimi!
Ruçi takohet me Haradinajn: Të thellohet bashkëpunimi!

Ruçi takohet me Haradinajn: Të thellohet bashkëpunimi!

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në një takim të veçantë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Zoti Ruçi e përgëzoi zotin Haradinaj për besimin e marrë në Parlamentin kosovar për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë kosovare. “Është mjaft domethënës fakti që vizitën tuaj të parë si Kryeministër e zhvilloni në Shqipëri dhe me autoritetet shqiptare. Ne i kemi ndjekur me vëmendje të madhe zhvillimet në Kosovë dhe më lejoni t’ju përgëzoj për besimin që morët në parlament dhe ju uroj suksese në detyrën tuaj si Kryeministër” tha zoti Ruçi.
Kreu i parlamentit shqiptar vlerësoi se mes dy vendeve ka një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe në këtë kuadër do të vijojë akoma më shumë puna për të thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona. “Mes nesh dhe jush nuk ka asnjë gjë që na ndan përveçse shumë gjera që na bashkojnë. Në këtë kuadër ne duhet të bëjmë akoma më shumë për të thelluar dhe intensifikuar marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, por kryesisht mes dy parlamenteve tona” tha zoti Ruçi.
Si dhe autoritetet e tjera të larta shqiptare, kreu i parlamentit nënvizoi gjithashtu se Tirana zyrtare ka qenë dhe do të mbetet mbështetësja më e madhe e shtetit të Kosovës në aspektin e njohjes së saj si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe të aderimit në organizmat ndërkombëtare, në të cilat ende nuk është bërë pjesë. “Kosova tashmë është një realitet i pranuar nga shumë shtete evropiane dhe botërore dhe kam besim që bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve për proceset integruese do të vijojë ngushtësisht” tha zoti Gramoz Ruçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, falënderoi zoti Ruçi për mikpritjen, dhe uroi suksese në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. “Më lejoni t’ju uroj suksese për detyrën e rëndësishme të Kryetarit të Parlamentit. Kosova e ka ndjerë historikisht dorën e Shqipërisë në çdo hap të ecurisë tonë, ashtu si edhe në këto kohë ku keni qenë zëri dhe mbështetja jonë në aspektin ndërkombëtar. Ne duhet të jemi sa më të lidhur bashkë për të ecur së bashku në rrugën e zhvillimit dhe integrimit, në familjen e madhe evropiane” tha zoti Haradinaj.

Sicred