KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi pret Dërgutin: Të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës
Ruçi pret Dërgutin: Të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës

Ruçi pret Dërgutin: Të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës

Shqipëria dhe Kosova angazhohen të lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin mes tyre. Kjo u bë e ditur sot gjatë një takimi në Tiranë mes Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi dhe një delegacioni të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Nënkryetarja Aida Dërguti. Delegacioni kosovar e informoi zoti Ruçi mbi dy rezolutat e miratuara ditët e fundit prej Kuvendit të Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për rezolutat “Për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, dhe “Për heqjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare: Vërmicë, Qafë Prush, dhe Qafë Morinë”.
Zoti Ruçi u shpreh dakord me propozimet e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përfshira në rezultat e miratuara. “Është detyra e kuvendeve të të dy vendeve,”-nënvizoi kryetari Ruçi, “të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës, në mbështetje të interesave të qytetarëve. Për të dy palët ekziston vullneti i plotë dhe i qartë politik” tha ai. Kreu i parlamentit shqiptar tha se “Këto rezoluta janë një hap pozitiv, por duhen parë me kujdes teknikalitetet e zbatimit të tyre prej qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve”.
Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë, njehsimit të diplomave, plotësimit të standardeve të integrimit etj. Të dy palët ranë dakord që për rritjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve duhet të ndiqen praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Çdo marrëveshje bashkëpunimi duhet të mbështetet nga vullneti politik, forca e ligjit, detyrimet ndërkombëtare dhe të procesit të integrimit evropian dhe interesi qytetar. Kuvendet duhet dhe mund të nxisin këtë bashkëpunim edhe nëpërmjet komisioneve parlamentare. “Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të ushtrojnë të gjitha kompetencat e kontrollit parlamentar për përshpejtimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat” tha kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.

Sicred