KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi në Uashington: “Mirënjohje SHBA”

Ruçi në Uashington: “Mirënjohje SHBA”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, po zhvillon një vizitë në SHBA, i ftuar nga kongresmenti Robert Pittinger, Zëvendëskryetari i Nënkomisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm. Kjo është vizita e parë e zotit Ruçi në Uashington, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të parlamentit shqiptar. Sikurse njofton e dërguara e RTSH Mimoza Haxhiaj, në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u prit në një takim nga mikpritësi i tij Robert Pittenger. Zoti Ruçi shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme Mimi Kodheli dhe deputetët Anastas Angjeli dhe Fatmir Mediu.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kongresmeni Pittinger përgëzoi zotin Ruçi për detyrën e Kryetarit te Kuvendit të Shqipërisë duke u shprehur gadshmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Gjate takimit, kongresmeni u shpreh se: “Të dyja vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime, të njëjtat vlera dhe pikëpamje, si edhe të njëjtat shqetësime. Ne do të mblidhemi së bashku me udhëheqësit e më shumë se 50 vendeve për të diskutuar mbi problemet që ne kemi, si çështja e luftës kundër terrorizmit, financimit të terrorizmit, sigurisë kibernetike, dhe shkëmbimit të informacionit” tha ai. Zoti Pittinger u shpreh se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt dhe një vend që gëzon paqe dhe begati. SHBA-të kanë një lidhje të fuqishme me ju, dhe ne ju jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për miqësinë që kemi dhe e cila do të forcohet në vite” tha ai.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se vizioni për një Shqipëri të fortë dhe të besueshme mbështetet mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne i jemi gjithmonë mirënjohës SHBA-ve dhe dua të kujtoj këtu 3 momente historike: Se pari, Presidentin e madh Udrou Uillson, i cili në vitin 1920 vuri veton në mbështetje të Shqipërisë si shtet i pavarur. Së dyti, ne shqiptarët nuk e harrojmë kurrë faktin se ishte ndërhyrja dhe mbështetja e SHBA-ve për një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe së treti, Shqipëria është sot një vend anëtar aktiv i NATO-s dhe partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit falë mbështetjes së SHBA-ve”.

Gjithashtu zoti Ruçi falënderoi kongresmentin Pittenger për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ambasadës së saj në Shqipëri për mbështetjen e dhënë në procesin e miratimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. “Falë kësaj reforme, që u përgatit dhe u miratua me mbështetjen tuaj, ne do të kemi një sistem të besueshëm drejtësie”,- nënvizoi gjatë takimit Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Ai nënvizoi se miratimi i kësaj reforme është një garanci e domosdoshme për sipërmarrjet e huaja, përfshirë edhe ato amerikane për të investuar në Shqipëri.

Gjatë ditës së parë të vizitës zoti Ruçi u takuam me senatorët Mike Inzi, Mark Begich, Chris Coons, John Barroso, Orrin Hatch, Roy Blunt, Mike Rounds, James Lankford. (Përgatiti Mimoza Haxhiaj)

Para Mbrapa

Para Mbrapa
(Visited 89 times, 1 visits today)
Sicred