KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi në Budapest: Krizat dhe sfidat kërkojnë që procesi i integrimit europian të mos frenohet apo ngadalësohet

Ruçi në Budapest: Krizat dhe sfidat kërkojnë që procesi i integrimit europian të mos frenohet apo ngadalësohet

Kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi, ka deklaruar se për t’u bërë ballë krizave dhe sfidave të sigurisë sot në Europë, procesi i integrimit nuk duhet të frenohet apo ngadalësohet. Deklaratat e ti zoti Ruçi i bëri në Konferencën e 8-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për Çështjet e Sigurisë në sesionin e dytë të konferencës me temë “Dimensioni i Sigurisë së Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor: Kontribut në Stabilitetin e Evropës”. “Gjatë tre viteve të fundit paqja publike dhe siguria në Evropë ka ndryshuar në mënyrë dramatike, e ndikuar kryesisht nga aktet terroriste të frymëzuara nga ekstremizmi i dhunshëm” tha zoti Ruçi. “Jo vetëm për vendet e BE-së, por edhe për ato me një perspektivë të qartë integrimi si Shqipëria, një gjë është tashmë e qartë: Evropa, vlerat, parimet dhe mënyra perëndimore e jetesës, modeli i shoqërisë së lirë dhe ai i zhvillimit ekonomik që në kemi njohur dhe nga i cili jemi frymëzuar, bëhet më i rëndësishëm se kurrë për t’u ruajtur i pacënuar” tha zoti Ruçi.
“Bashkërendimi ndërkombëtar, bashkëpunimi i ngushtë, i detajuar, i vijuar dhe efikas dy- e shumëpalësh, përfshirë atë rajonal për të bashkërenduar përpjekjet kundër të gjithë spektrit të sfidave të sigurisë është parësor” tha kreu i parlamenti shqiptar. “Për shkak të të gjitha këtyre sfidave vijimi dhe forcimit të “Lidhjes transatlantike” dhe bashkëpunimit me SHBA-të është tepër thelbësor dhe i rëndësishëm” tha zoti Ruçi.
Ai vlerësoi se sfidat e sigurisë si, terrorizmi, radikalizmi dhe luftëtarët terroriste të huaj paraqesin një rrezik madhor sot për shoqëritë tona. Por, si fenomene që i mbikalojnë kufijtë shtetëror, si fenomene globale, kërkojnë përqasje dhe përballje globale.
Zoti Ruçi bëri të ditur se “Në Shqipëri, që në gusht të vitit të kaluar, është krijuar zyra e Koordinatorit Kombëtar për luftën kundër dhunës ekstreme, e cila me ekspertizën dhe eksperiencën që po krijon nëpërmjet vlerësimit të situatave, angazhimit të institucioneve qendrore dhe lokale si dhe bashkëpunimin me komunitetet fetare, shumë shpejtë do të jetë në gjendje të ofrojë një panoramë të plotë të profilizuar të adresimit të këtyre fenomeneve në vendin tonë”.
Më tej ai veçoi se “Shqipëria përpos masave ligjore dhe politikave sociale të brendshme është fokusuar maksimalisht për të promovuar dhe nxitur bashkëpunimin rajonal në këtë drejtim”. “Që prej 2015 me iniciativën tonë gjatë presidencës së Shqipërisë në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, iniciuam dhe ngarkuam Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, që të koordinojë vendet tona për një përballje koherente dhe të organizuar rajonale të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimin e radikalizimit në shoqëritë tona”.
Në konteksin e këtyre zhvillimeve kreu i parlamentit shqiptar tha se “për t’u bërë ballë krizave dhe sfidave të sigurisë me të cilat po përballemi sot, procesi i integrimit nuk duhet të frenohet apo ngadalësohet”. Por ai tha se në “Ballkanin Perëndimor duhet të tregojmë vendosmëri në rrugën e reformave, e cila është përgjegjëse për shpejtësinë me të cilën zhvillohet procesi i integrimit”.

Sicred