KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi kërkon përfshirjen e Kosovës në Samitin e Ardhshëm të parlamenteve të EQL

Ruçi kërkon përfshirjen e Kosovës në Samitin e Ardhshëm të parlamenteve të EQL

Kryetari i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi ka falenderuar krerët e parlamenteve të Europës Qëndrore e Lindore për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre në qëndrimin pro hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE, ndërsa bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh. Deklaratën e tij zoti Ruçi e bëri gjatë Samitit të Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore që po mbahet në Varshavë. Ai kërkoi gjithashtu që në këto nisma rajonale të përfshihej edhe Kosova.
Zoti Ruçi tha se Evropa Qendrore dhe Lindore përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit dhe një thesar kulturor të njerëzimit, të cilin ne, banorët e tij, duhet ta ruajmë e pasurojmë. Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit. Pavarësisht diferencave midis tyre, ato konvergojnë në një drejtim kryesor: vlerat evropiane. Evropianizimi i shoqërive tona është tipar i kohës, tha kreu i parlamentit shqiptar. Bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë, nënvizoi ai.
Lidhur me arritje e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, e cila ishte një temë qëndrore e Samitit, zoti Ruçi tha se parlamenti shqiptar po punon në hartimin e ligjeve, buxhetit, funksionet e mbikëqyrjes e përfaqësimit, si edhe dokumentat strategjikë, programet e masat e qeverisë.
Ai bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit, Kuvendi i Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e reformës në drejtësi, unike në rajon, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë. Rezultatet e kësaj reforme janë të prekshme dhe mbresëlënëse.
Shqipëria ka ndërmarrë reforma të rëndësishme për fuqizimin e mirëqenies dhe kohezionit social, tha zoti Ruçi. Duke e ilustruar me shifra, ai tha se vendi po rritet ekonomikisht me rreth 3-4 përqind në vit, duke rimodeluar zhvillimin ekonomik drejt hapjes së vendeve të punës, reduktimit të varfërisë dhe zgjerimit të shërbimeve publike, sociale e shëndetësore cilësore e të përballueshme.
Rezultat i reformave është ulja e ndjeshme e papunësisë, e cila, për herë të parë pas vitit 1990, arriti 12.5 përqind; ulja e varfërisë së matur me fuqinë blerëse, e cila është përgjysmuar gjatë gjashtë viteve të fundit: nga 62.5 në 32.8 përqind; ngushtimi i hendekut gjinor në tregun e punës dhe ecja drejt Mbulimit Shëndetësor Universal, tha kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.
Në fjalën e tij në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore që po mbahet në Varshavë, zoti Ruçi u ndal veçanërisht në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se të dy vendet kanë nisur vitet e fundit dialogun për zgjidhjen e problemeve midis tyre, dialog te cilin Shqipëria e mbështet fuqimisht. “Dëshiroj t’i bëj thirrje këtij Samiti që të krijojmë bashkërisht një mjedis më gjithëpërfshirës, duke mundësuar pjesëmarrjen në këto nisma rajonale edhe të Kosovës. Kjo pjesëmarrje do te inkurajonte e mbështeste edhe dialogun Serbi-Kosovë dhe do ta bënte atë më produktiv” tha zoti Gramoz Ruçi.

Para Mbrapa
Ruçi në Varshavë: Zhvillim të qëndrueshëm për mirëqënien, kohezionin social dhe lumturinë e qytetarëve
Para Mbrapa
Sicred