KRYEFAQJA » LAJME » Ruçi: Ethet e pushtetit të mos “sabotojnë” ndërtimin e shtetit!

Ruçi: Ethet e pushtetit të mos “sabotojnë” ndërtimin e shtetit!

Kryetari i Kuvendit,Gramoz Ruçi ka pritur në një takim raporterët e Komitetit Monitorues të AP të Këshillit të Evropës,të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë faktmbledhëse për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë.
Në përgjigje të interesimit të reporterëve për mundësinë e uljes së tensioneve politike dhe zbutjen e polarizimit politik, kryeparlamentari Ruçi deklaroi se preokupimi i tij si Kryetar i Kuvendit është që opozita të ketë akses të plotë në ligjbërje dhe kontroll parlamentar. Aktualisht, nuk ka asnjë arsye as për bojkot, as për kushtëzim të Kuvendit, tha ndër të tjera zoti Ruçi.
Ai nënvizoi se puna e kuvendit aktualisht është përqëndruar në dy shtylla kryesore atë të Reformës Zgjedhore dhe Reformën në Drejtësi.“Reforma Zgjedhore është prioritet i të gjitha forcave politike. Për këtë, Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me OSBE/ODIHR, duke synuar zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas standarteve më të mira ndërkombëtare. Komisioni i reformës pritet të përfundojë punën e tij deri në fund të këtij viti” u shpreh ai.
Për kreun e parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi, “Reforma në Drejtësi është shtylla tjetër e rëndësishme. Kjo reformë,duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, përfshirë opozitën. Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të kësaj reforme, duke sulmuar organet e vetting-ut. Reforma është krejtësisht jashtë ndikimit të qeverisë dhe të shumicës parlamentare dhë nën monitorimin e rreptë dhe të plotë të ONM” tha ai.
Raporterët e Komitetit Monitorues të AP të Këshillit të Evropës inkurajuan Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë që të vazhdojë të mbajë këto qëndrime të matura dhe të bëjë gjithshka mundet, të përdorë çdo nismë parlamentare, brenda kornizës kushtetuese, për të mbajtur opozitën në Kuvend.

Sicred