KRYEFAQJA » LAJME » Risi në transmetimet satelitore të RTSH

Risi në transmetimet satelitore të RTSH

Radio Televizioni Shqiptar, i pari televizion në Shqipëri që ka nisur transmetimet satelitore prej 15 Nëntorit të vitit 1993, vjen me një risi tjetër për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë.

RTSH transmeton tani në satelit një buqete prej gjashtë kanalesh televizive dhe katër kanale radio, të gjitha pa asnjë pagesë.

Bëhet fjalë për RTSH 1 HD, kanalin e parë të transmetuesit publik shqiptar, i cili nga transmetimet me definicion standard, ka kaluar në transmetimet High Definition.

RTSH 1HD do të sjellë për publikun brenda vendit dhe sidomos për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, programet kryesore dhe më të ndjekura të kanalit të parë gjeneralist.

Platformës së re satelitore i shtohet një tjetër kanal televiziv. Ai është RTSH 3HD.
Ky kanal i ri, i dyti në platformën stalelitore me definicion HD do t’i kushtohet tërësisht bashkëatdhetarëve, me një programacion të përzgjedhur dhe një staf të dedikuar. Në RTSH3HD transmetohet edhe emisioni “URA”, një program jo vetëm për shqiptarët jashtë atdheut, por edhe një dritare komunikimi mes bashkëatdhetarëve dhe vendit tonë.

Kanali i tretë në platformën satelitore është RTSH Plus, i cili përcjell në platformën satelitore për shqiptarët kudo që ndodhen, programe të zhanreve të ndryshme, prodhime të rrjetit të Radio Televizionit Shqiptar.

Buqeta plotësohet me kanalin me të ri RTSH 24, i cili do të jetë kanali dedikuar lajmeve që do të nisë së shpejti transmetimin dhe do të plotësojë nevojën e teleshikuesve për informacion 24 orë në ditë.

Dy kanalet e tjera në platformën satelitore janë RTSH Shqip i cili ka mbërthyer para ekranit të gjithë dashamirësit e kinemasë shqiptare ndër vite.

Kanali i gjashtë i platformës satelitore është RTSH Muzikë. Ai pasuron ekranet e shqiptarëve edhe në satelit me muzikën më të mirë të artistëve shqiptarë.

Përveç kanaleve televizive, RTSH vjen edhe me katër kanale radio, kanalin e parë të Radio Tirana 1, Radio Tirana 2 dhe Radio Tirana International, i cili transmeton programe në 7 gjuhë të ndryshme edhe Radio Tirana Klasik.

Për të gjetur këto kanale të reja duhet të bëni kërkim manual në satelitin Eutelsat W2 (16A) me pozicion orbital 16 gradë lindje, Frekuenca 12640 MHz, Polarizimi Horizontal, Symbol Rate 10 833, FEC 3/5  Modulimi DVB-S2 8PSK.

Gjithashtu RTSH ju vjen më afër shqiptarëve kudo që ndodhen edhe me aplikacionin RTSH TANI, të cilin mund ta shkarkoni nga Play Store ose App Store. ​Ju mund të na shkruani edhe në sat@rtsh.al

(Visited 16,062 times, 479 visits today)