KRYEFAQJA » LAJME » RTSH, risi në transmetim për Botërorin “Rusia 2018”

RTSH, risi në transmetim për Botërorin “Rusia 2018”

Radio Televizioni Shqiptar është përfshirë në një proces transformimi rrënjësor sa i përket teknologjisë dhe kontakteve. Përgjatë muajve të fundit, falë investimeve të kryera RTSH ka bërë kalimin nga transmetime analoge në transmetime dixhitale në shumë zona të vendit, duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt teknologjisë radiotelevizive të së ardhmes.

Pas transmetuesit të Petreshit që mbulon zonën e Elbasanit dhe Luginën e Shkumbinit, prej disa ditësh sinjali i rrjetit të RTSH është përforcuar me një tjetër investim të rëndësishëm, me transmetuesin e ri të transmetimeve digjitale edhe në rajonin e Korçës. Transmetuesi me fuqi 1.1 kilovat i vendosur në Çervenakë në Pogradec,  përcjell sinjalin digjital në Përrenjas, Librazhd dhe në të gjithë krahinën e Mokrës.

Afrimi i Kampionatitit Botëror të Futbollit “Rusia 2018”, po shoqërohet me një zgjerim të ndjeshëm të sinjalit digjital të RTSH në të gjithë hapsirën shqiptare. Radiotelevizioni publik shqiptar i cili ka ekskluzivitetin e ngjarjes më të madhe të futbollit botëror, po përpiqet të sjelli për shikuesit dhe dëgjuesit shqiptarë një nivel shumë të lartë transmetimi. Publiku do të ketë mundësi që përmes RTSH të shohë me cilësinë më të lartë të figurës eventet më të rëndësishme sportive dhe jo vetëm. Mjafton një televizor DVB T2 ose një marrës i thjeshte dixhital për aparatet televizive të gjeneratës T1 apo më të hershme dhe bota vjen në shtëpinë e shqiptarëve pa asnjë pagesë në kualitetin më të lartë të figurës Full HD.

RTSH ndërkohë po përgatitet të sjelli për shikuesit dhe dëgjuesit e RTSH jo vetëm një nivel të lartë transmetimi, por edhe një varietet të programeve dhe infromacioni përmes buqetës së kanaleve dixhitale, të cilat vijnë falas për publikun shqiptar.

Ai po përgatit rubrika të posaçme të cilat do të pasqyrojnë në të gjitha përmasat kampionatin botëror “Rusia 2018”. Për lexuesit e RTSH, informacione do të ofrohen edhe në faqen më të re të ueb-it sport.rtsh.al.

Por deri në fillim të kampionatit botëror të futbollit RTSH do të sjelli dhe surpriza të tjera, zhvillime te gjithanshme të cilat do ti zbulojme së bashku ditë pas dite.

Sicred