KRYEFAQJA » LAJME » RTSH nuk do të pranojë kaseta të gatshme nga partitë në fushatën zgjedhore

RTSH nuk do të pranojë kaseta të gatshme nga partitë në fushatën zgjedhore

Radiotelevizioni shqiptar nuk do të lejojë kaseta të përgatitura nga partitë politike, për pasqyrimin e fushatës zgjedhore të 25 qershorit. Nëpërmjet një shkrese të posacme, RTSH ka njoftuar partitë parlamentare se është i gatshëm të mbulojë aktivitetet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke ruajtur standarde të larta të informimit. RTSH e argumenton këtë vendim me ruajtjen e profesionalizmit dhe informimin e paanshëm të publikut. Në shkresën që iu drejtohet kryetarëve respektivë të partive politike, kërkohet gjithashtu  atashimi i gazetarëve të RTSH-së, për aktivitetet që do të zhvillojnë ditë pas dite partitë kryesore në vend. Po kështu, Radiotelevizioni shqiptar dhe konkretisht Njësia e Lajmeve në këtë institucion, vetofrohet për çdo kontakt që zyrat e shtypit do të duan të kenë, për të rakorduar aktivitetet e fushatës zgjedhore. Një praktikë e tillë, ajo e shpërndarjes së materialeve të gatshme nga partitë politike, ka qenë vitet e fundit një shqetësim i ngritur jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve, por edhe organizmat që monitorojnë zgjedhjet si OSBE-ODIHR.‎ Kjo praktikë kufizon pluralizmin në media, informacionin objektiv për shikuesin dhe lirinë editoriale të gazetarëve dhe medias në pasqyrimin e aktiviteteve politike. Pak muaj më parë RTSH miratoi një nga dokumentet më të rëndësishme, Parimet Editoriale, i cili parashikon edhe sjelljen e gazetarëve në përcjelljen objektive dhe të paanshme të informacionit te publiku edhe në rastet e fushatave zgjedhore.

Sicred