KRYEFAQJA » LAJME » Rruga Lushnje-Hajdaraj drejt degradimit

Rruga Lushnje-Hajdaraj drejt degradimit

Ky aks nacional ka pësuar shembje të shumta në pjesë të veçanta të tij, ndonëse rruga ka tetë muaj që është ndërtuar. Muret mbrojtëse anësore janë rrëzuar që në metrat e parë, ndërsa dherat e kodrave kanë bllokuar kanalet. Banorët thonë se i kanë kundërshtuar punimet që bashkia e Lushnjes ndërmori në këtë aks që prej fillimit të tyre, por askush nuk ua vuri veshin. Sipas tyre, rruga u bë në kohë fushatë elektorale, u ndërtua brenda një kohë shumë të shkurtër dhe pa asnjë lloj garancie në cilësinë e punimeve. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, shembjet po vazhdojnë të ndodhin çdo ditë. Rruga është e gjatë rreth 1,5 km dhe kosto e ndërtimit kap vlerën e rreth 120 milion lekëve. Ajo është ndërtuar nga një firme private me fondet e bashkisë Lushnje. Sipas informacioneve të kësaj bashkie, rruga është marrë në dorëzim në korrik të 2017. Pushteti vendor i justifikon shembjet me faktin e sasisë së madhe të reshjeve të rëna gjatë këtij viti. Deri tani nuk flitet për marrjen e ndonjë masë për ndalimin e shembjes së rrugës, apo për hetim cilësisë së punimeve të kryera nga firma. Fshati Hajdaraj ndodhet tre km larg qendrës së qytetit të Lushnjes dhe ka rreth 500 banorë. Kjo është rruga e vetme që i lidh banorët me qytetin, rrugë e cila po u rrëshqet nën këmbë.

Sicred