KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Rruga e Kombit”, qeveria nuk tërhiqet nga tarifa 5 Euro

“Rruga e Kombit”, qeveria nuk tërhiqet nga tarifa 5 Euro

Protesta e banorëve të Kukësit i shtoi daljet publike të qeverisë për të sqaruar pse duhej vënë tarifa e kalimit në “Rrugën e Kombit”, por nuk arriti që ta tërhiqte nga ky vendim. Ministri i infrastrukturës Damian Gjiknuri në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët tha se është ngritur një grup pune që bashkë me konçensionarin po sheh mundësitë e zgjerimit të kategorive përftuese nga ulja e tarifës, apo përdorimi i abonesë. “Për të gjetur një zgjidhje në një periudhë shumë të afërt në mënyrë që do t’ua prezantojmë qytetarëve, që kjo do të jetë mundësia e mundshme” tha zoti
Sipas ministrit dëmet në sportelet e tarifës llogariten në disa miliona euro, por ndryshe nga sa u tha më herët, mbulimi i tyre nuk do të rëndojë vetëm mbi buxhetin e shtetit. “Ne do të shikojmë se cila do të jetë pjesa e dëmit që do të përballojë shteti dhe çfarë do të përballohet nga konçesionari” tha ministri.
Në bashkëbisedimin mbi 60 minuta me gazetarët, zoti Gjiknuri pranoi se duhej bërë më shumë për informimin e qytetarëve, por ai theksoi se vendosja e tarifës ishte dhuratë e qeverisë Berisha. Sipas tij në tetor të 2013 qeveria e kaluar kishte miratuar pagesën 8.5 euro për këtë kalim. “The në parlament që unë e anullova se mu duk e lartë. Si shpjegohet që ti këtë studim e ke miratuar me vendim qeverie dhe e ke shpallur për garë me tarifë 8.5 euro?” pyeti ministri.
Ministri Gjiknuri mbron tarifën e rrugës me domosdoshmërinë e mirëmbajtjes së saj dhe pagesa sipas tij nuk është shpikje shqiptare. Por vendet që kanë të tilla praktika ofrojnë dhe rrugë alternative. Por a mund të quhet rrugë e kalueshme ajo nga Qafa e Malit, u pyet zoti Gjiknuri? “Ajo ka nevojë për mirëmbajtje dhe investime të mëtejshme, por shtrohet pyetja: Veza apo pula? Ne ky aset na ikën nëse nuk kontribuon njeri” tha ministri Damian Gjiknuri.
Opozita ka bërë thirrje për mosbindje civile deri sa qeveria të tëqihet nga tarifa e “Rrugës së Kombit” dhe duket se mosbindja nisi që këtë të martë. Në komisionin parlamentar të ekonomisë i vetmi deputet i opozitës ishte Edmond Haxhinasto, ish ministri që zyrtarizoi kontratën me koncensionarin.

Sicred