KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » “Rruga e Arbërit” në qendër të premtimeve të Bashës e Ramës
"Rruga e Arbrit", Rama dibranëve: "Hallall sharjet dhe talljet po erdhët në cermoninë e inagurimit"

“Rruga e Arbërit” në qendër të premtimeve të Bashës e Ramës

“Rruga e Arbërit”, një aks i rëndësishëm rrugor nga lindja në perëndim të Shqipërisë, duket se është vënë në qendër të premtimeve të dy forcave kryesore politike PS dhe PD gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit. Ato edhe më parë kanë premtuar fillimin e ndërtimit të këtij aksi, por këtë rradhë duken më të vendosur.
Të enjten kreu i PD Lulzim Basha, gjatë mitingut përmbyllës të fushatës në Dibër, tha se pengu i tij më i madh është ndërtimi i rrugës së Arbrit. “Kam ardhur shpesh në Dibër, ku janë bërë shumë punë të mira, por ka shumë për të bërë, siç është pengu im, rruga e Arbrit. … Si sot dy vjet do të ndodhin dy gjëra: Ose do të hapim tunelin e Arbrit, ose unë jap dorëheqjen si kryeministër” tha zoti Basha. “Ka vetëm një të tretë, i pari Kalimashi, i dyti Krraba, i treti rruga e Arbrit dhe unë do ta përfundojë këtë” premtoi lideri demokrat i cili synon të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Por premtim për ndërtimin e “Rrugës së Arbërit” ka dhënë dhe kryeministri aktual Edi Rama. “Kompania që e ka bërë projektin është paraqitur me një propozim, është bërë verifikimi i projektit dhe me të marrë miratimin, hapet gara. Që të mos flas në mënyrë strikte, pasi procedurat gjithmonë kanë ndonjë vonesë, nga shtatori fillojmë Rrugën e Arbrit dhe i japim fund kësaj historie” tha zoti Rama pak ditë më parë në takim me dibranët.
“Rruga e Arbërit”, sipas projektit rreth 75 kilometra e gjatë, do të lidhë Tiranën me Dibrën dhe më tej Shqipërinë me Maqedoninë. Rruga që e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. Ky variant i shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 metra mbi nivelin e detit si dhe është varianti me kushte më të mira gjeologo-inxhinjerike e hidrologjike, vlerësojnë specialistët.