KRYEFAQJA » LAJME » Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos
Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos

Rritet tensioni mes LSI dhe Policisë, kërkohet shkarkimi i Çakos

Një ngjarje ende e paqartë e ndodhur në Pukë, ka ndezur një konflikt mes LSI dhe policisë. Nënkryetari i LSI Luan Rama në një dalje para mediave ka deklaruar se “banditë të Rilindjes kanë sulmuar dhe dhunuar dy femra, njëra kryetare e LSI, Sajmira Laçi dhe tjetra kryetarja e LRI Pukë Romina Kuçi”. Zoti Rama ka përmendur me emër ata që konsiderohen si autorë të ngjarjes. “E gjitha kjo situatë kriminale e gjen motivin tek thirrjet skandaloze të kryetarit të Rilindjes i cili e fton policinë të punojë për të marrë vota për partinë e tij dhe jo të zbatojë ligjin” tha sekretari i përgjithshëm i LSI. Ai i kërkoi me këtë rast “…ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit shkarkimin e menjëhershëm nga detyra për papërgjegjshmëri dhe për mos veprim kriminal të drejtorit të përgjithshëm Haki Çako”.
Por nga ana e saj policia ka dhënë një tjetër version të ngjarjes në Pukë. Sipas njoftimit të saj, nisur nga informacionet se persona që qarkullonin me automjete me xhama të errësuar, ofronin lekë në këmbim të votës në zonën e Fushë Arrëzit, policia lokale ka ushtruar kontrolle për të parandaluar këtë fenomen. “Në orën 17:10 Patrulla e Përgjithshme në hyrje të qytetit Fushë Arrëz ka ndaluar një automjet tip “Ford” me xhama të errësuar dhe i është kërkuar drejtuesit te mjetit, dokumentacioni” njofton policia. Gjithnjë sipas saj në automjet udhëtonin dy zonja që janë prezantuar si anëtaret e një subjekti politik dhe kandidate për deputete. “Pas prezantimit janë lejuar të vazhdonin lëvizjen. Por dy shtetaset kanë dalë nga automjeti dhe njëra prej tyre ka shfaqur gjendje të fikëti. Ajo është dërguar me automjet dhe personat me të cilin udhëtonte në Qendrën Shëndetësore Fushë Arrëz dhe është në gjendje të mirë shëndetësore”. Policia njofton se ka shoqëruar dhe ka marrë dëshmitë e disa personave për të cilët shtetaset në fjalë u kanë komunikuar drejtuesve të policisë se i kanë kërcënuar për motive politike.
Ngjarja, ndonëse e pasqaruar përfundimisht, shënohet si episodi më serioz i fushatës zgjedhore e cila ka hyrë në javën e fundit. Por ndryshe nga fushatat e mëparshme, kur në vëmendje ishin përplasjet mes PS dhe PD, tensioni i tanishëm është mes PS dhe LSI, dy forcave politike aleate në qeveri. Të dy partitë, bashkë me PD në opozitë, po deklarojnë çdo ditë e më shumë se do të jenë forcat e para në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit.

Sicred