KRYEFAQJA » LAJME » Rrethi i 74-t Çiklistik, një bast i fituar i Shqipërisë

Rrethi i 74-t Çiklistik, një bast i fituar i Shqipërisë

Edicioni i 74-t i garës më të rëndësishme të çiklizmit shqiptar ka nisur me petkun e të qenit i pari edicion i përfshirë në kalendarin ndërkombëtar të Federatës Botërore të këtij sporti, UCI-t. Starti u dha në Tiranë më 20 maj, për të vijuar në një itinerar prej mbi 850 km të përshkuara për më pak se 18 orë përgjatë 5 ditëve. Kjo garë e futën dhe konfirmuan Shqipërinë në hartën e çiklizmit botër, aty ku në fakt i takon të jetë. Sipas historisë, rrethi çiklistik i Shqipërisë është gara e 3-të më e vjetër e dyrrotakëve në Evropë, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë.
Edicioni ka nisur me një nivel tjetër të masave organizative, që kanë qenë një sfidë më vete për Federatën Shqiptare të Çiklizmit, dhe, në veçanti, për presidentin e saj, Skënder Anxhaku. Një sfidë që u kapërcye me sukses, sikundër e konfirmoi edhe Kryegjyqtari i këtij Rrethi të 74-t, Vladimiros Petsas. Duke folur për Televizionin Shqiptar pas etapës së fundit, ai ka vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë si vend organizator. “Sigurisht që ju e kaluat klasën dhe për këtë meritoni përgëzime, sidomos presidenti i Federatës, z. Anxhaku. Natyrisht që ka ende punë për të bërë për një garë edhe më të shkëlqyer, por të gjitha kriteret e këtij niveli të UCI-t u përmbushën dhe kjo është një bazë mjaft e mirë për të ndërtuar një garë edhe më suksesshme në edicionet e ardhshme” tha zoti Petsas.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij Rrethi të 74-t Çiklistik të Shqipërisë ishte edhe siguria e garuesve. Siikundër asnjëherë më parë, masat e marra nga Policia Rrugore, ishin të jashtëzakonshme. Ato u krijuan pjesëmarrësve, por edhe organizatorëve, mundësinë për një garë të rrjedhshme dhe pa pengesa dhe, ç’është më e rëndësishme, pa asnjë dëmtim të çiklistëve.
Kujtojmë se bëhej fjalë për një karvan prej 75 çiklistësh dhe po aq staf shoqërues, afro 20 automjete shoqëruese, dhe të gjitha këto në lëvizje përgjatë 850 kilometrave, duke kaluar nëpër qytete dhe rrugë të ndryshme dhe duke shmangur me sukses çdo të papritur të pakëndshme. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, kur lëvizej me një shpejtësi mesatare 35-40 km në orë, këtë edicion u kap një mesatare mbresëlënëse prej 45 deri në 55 km në orë.
Në bazë të kontratës firmosur midis Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ky Rreth Çiklistik shënoi edhe një risi tjetër sa i përket pasqyrimit të tij, nëpërmjet ndjekjes hap pas hapit nga RTSH. Ekipi i përbërë nga Altin Kodra, Erin Teliti dhe Julian Zela, sollën çastet më të bukura të kësaj gare nëpërmjet kronikave dhe lidhjeve me edicionet e lajmeve, por edhe një përmbledhje ditore prej afro 30 minutash, të shoqëruar edhe komentin e specialistit të njohur të këtij sporti, Genc Angjeli.
Të gjitha këto e bënë këtë Rreth të 74-t Çiklistik, ku morën pjesë 12 skuadra dhe ku fitues si individ u shpall italiani Françesko Manuel Bonxhorno, ndërsa si ekip, ai italiam “GM Europa Ovini”, të veçantë në llojin e vet. Ai ishte i pari në atë që shpresohet të shndërrohet në një vazhdë të suksesshme, me shpresën për të sjellë një ditë nëpër rrugët e Shqipërisë më të mirët e Evropës dhe për ta bërë këtë garë një kartolinë të mrekulleshme për potencialin e turizmit shqiptar.

Sicred