KRYEFAQJA » LAJME » Romët, integrimi kërkon buxhet
Turdiu: Romët, mes integrimit dhe përjashtimi të mëtejshëm

Romët, integrimi kërkon buxhet

Një forum dy-ditor i dialogut publik, i cili diskutoi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020, u hap sot në Tiranë.. Forumi, duke u përqendruar në pesë përparësitë kryesore – arsimi, punësimi, mbrojtja sociale, strehimi dhe shëndeti me arritjet dhe sfidat përkatëse – është organizuar nga Grupi i Veprimit të Romëve për Integrimin 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Ministria Shqiptare e Mirëqenies Sociale.

Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Pika Kombëtare e Kontaktit të Romëve, theksoi rëndësinë e përmirësimit të koordinimit mes ministrive që merren me integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri. “Kjo është veçanërisht e dukshme përmes emërimit të pikave të kontaktit në secilën ministri të linjës, bashkëpunimit të zgjeruar me Ministrinë e Financave dhe koordinimit të fortë për përfundimin e raportit vjetor për zbatimin e Strategjisë për Integrimin të romëve dhe egjiptianëve. Ky forum do të na mundësojë të  vazhdojmë punën para nesh dhe të krijojmë prioritetet për të ardhmen “, shtoi Xhafaj.

“Siç e dimë, romët vazhdimisht ballafaqohen me përjashtimin social, diskriminimin, ndarjen dhe margjinalizimin që çon në mungesë të arsimit, papunësi kronike, qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor, strehimin rudimentar, qasjen e kufizuar në shërbimet esenciale dhe varfërinë e përhapur”, tha udhëheqësi i ekipit të KBR-së RI2020 Orhan Usein.

“Promovimi i integrimit të romëve nuk kërkon vetëm një angazhim të shtuar politik për përfshirjen e romëve, por edhe alokimin e burimeve të përshtatshme në buxhetet kombëtare, koordinimin më të mirë me të gjithë donatorët dhe aktorët kryesorë në përgjithësi, si dhe vlerësimin sistematik dhe monitorimin e përforcuar”.

Ky forum është një mundësi dhe mekanizëm për hapjen e procesit të politikave për të gjithë aktorët relevantë, pasi KBR ofron ndihmë të vazhdueshme direkte dhe mbështetje teknike për qeveritë për të krijuar mekanizma institucionale për të koordinuar, konsultuar, zbatuar dhe raportuar mbi çështjen e romëve..

Ky  është aktiviteti i parë e tillë në Shqipëri e organizuar në kuadrin e iniciativës RI2020 të KBR që bashkon përfaqësues nga të gjitha ministritë e linjës, përfshirë ministrinë e financave, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, pushtetit lokal dhe akademisë.

Integrimi i Romëve 2020 është një nismë trevjeçare e zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Grupi për Integrim i Romëve 2020. Është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Objektivi i saj i përgjithshëm është të kontribuojë në zvogëlimin e hendekut socio-ekonomik në mes të romëve dhe jo-romëve në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi dhe për të forcuar detyrimet institucionale të qeverive për të inkorporuar dhe përmbushur synime specifike të integrimit të romëve në zhvillimet kryesore të politikave.

Sicred