KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Roma në vështirësi për ujë
Roma në vështirësi për ujë

Roma në vështirësi për ujë

Pas mbarimit të pushimeve verore, banorët e Romës do të përballen me reduktim të prurjeve të ujit pijshëm gjatë natës, çka mund të lërë pa furnizim godinat e larta në kryeqytet. Arsyeja është thatësira e jashtëzakonshme që po vijon atje prej muajsh, e cila po e bën të pamundur furnizimin me presion të të gjithë banesave dhe godinave në kryeqytetin italian.
Ndërmarrja e ujësjellësit Açea është shprehur se që nga muaji maj ka arritur të minimizojë në maksimum humbjet në rrjet, por sasia e pakët e reshjeve gjatë vitit të fundit, kërkon marrjen e masave të kursimit, të cilat do të fillojnë të zbatohen duke nisur nga data 30 gusht. Edhe në fillim të verës, banorët e Romës kanë rrezikuar t’u racionohej uji për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi ujin që nxirret nga Liqeni Braçiano në veri të Romës, i cili plotëson 8 përqind të kërkesës për ujë të kryeqytetit. Ndërmarrja e ujësjellësit Açea, u lejua të vijonte përdorimin e liqenit, kur premtoi se do të reduktonte tërheqjet e ujit nga 1100 në 400 litra për sekondë. Në gusht, kësaj kompanie nuk iu desh të merrte veprime të mëtjeshme, pasi konsumi ra për shkak të pushimeve. Por ndërsa pushimeve verore po u vjen fundi, efektet e thatësirës janë më të ndjeshme se më parë.

Sicred