KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Robert Elsie me kostum malësori dhe lahute do të prehet në Theth

Robert Elsie me kostum malësori dhe lahute do të prehet në Theth

Në gjurmët e albanologëve të mëdhenj, që shpirti ju gjeti frymëzim dhe paqe ndër Alpet shqiptare, Robert Elsie na ka dhënë një mësim të madh. I lindur në Kanada, ai që u bë më shqiptar se shumë prej atyre që kanë lindur në tokën arbnore, ka vendosur të prehet njëherë e përgjithmonë në Theth.
Robert Elsit, i janë bërë homazhe në një shtëpi tjetër të tij Bibliotekën Kombëtare, ku fjalët mirënjohëse dhe vlerësuese ngjajnë të varfëra para punës së tij kolosale në favor të asaj që ai e ka quajtur me shumë dashuri shqiptari.
“Mirënjohës për jetë Robert Elsit për gjithçka ka bërë me dashur dhe pasion për promovimin e kombit tonë, por pa dyshim dhe në mënyrë të veçantë edhe për zgjedhjen e tij për tu përjetësuar si shqiptar dhe për tu prehur përjetësisht në Alpet e Shqipërisë, në Theth” vlerësoi presidenti Ilir Meta.
Akademiku Emil Lafe tha se Elsi “Ka qenë një njeri me vullnet të madh, me dashuri të madhe për kulturën shqiptare, letërsinë shqipe, për të gjitha çfarë ka krijuar populli shqiptar gjatë shekujve dhe kjo i ka dhënë tashmë atij një vend të veçantë njëvend nderi në panteonin e njerëve që i kanë shërbyer popullit shqiptar dhe kulturës shqiptare në shumë drejtime”.
Për akademikun kosovar Rexhep Ismaili “Më e rëndësishmja është që Elsi e përhapte kulturën shqiptare atje ku nuk ishim ne, në kohë shumë të vështira, jo vetëm për kukturën, por dhe informacionin tjetër. Ai ka qenë shumë i pranishëm në qarqet më të larta europiane dhe të tjera ku vendoseshin fatet”.
Ndërsa partneri i tij i një jete, Stephan Trierweiler i pikëlluar për humbjen e Robert Elsie, u shpreh se ai sapo ka përfunduar dy vepra të cilat do të botohen së shpejti dhe se megjithë ndarjen e parakohshme ai nuk kishte pengje. “Ju e dini më mirë se unë se pasioni më i madh i Roberit ishte kultura shqiptare. Ashtu siç ka luftuar për Shqipërinë ai ka luftuar edhe për pavarësinë e Kosovës. Ai nuk ka patur pengje. Por para se të ndërronte jetë ka thënë një fjali që është shumë kuptimplote. “Vdekja qenka e mërzitshme! Njeriu pret dhe pret” tha Stephan Trierweiler.
Ndërsa Thethi dhe banorët e tij janë bërë gati ta nderojnë me besë e me lahutë, mikun që i bëri të njohur dhe ua lartësoi vlerat e mikëpritjes në të gjithë botën. Zef Bari, përfaqësues i banorëve të Thethit tha se Elsie ka kërkuar të varroset me kostumin kombëtar të zonës, dhe të përcillet me një këngë me lahutë.
Robert Elsie, u nda nga jeta me 2 tetor në moshën 67 vjeçare.I lindur në Kanada Robert Elsi kishte lidhje të veçanta me Shqipërinë. Ai do të mbahet mend si studiues, përkthyes, njeriu që i dha zë në anglisht autorëve më brilantë të letërsisë shqipe nga Fishta e Migjeni të Ali Podrimja dhe Fatos Kongoli. Elsie  dha kontribut të çmuar jo vetëm në letërsi, por edhe në dëshmitë e rralla etnografike ai ka mbledhur për shqiptarët, fotografi, objekte, regjistrimin audio të të gjitha të folmeve shqipe.

Sicred