KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rimbursohet më shumë TVSH, borxhi përsëri i lartë

Rimbursohet më shumë TVSH, borxhi përsëri i lartë

Në muajin qershor Ministria e Financave i ka kthyer biznesit, sipas ligjit, më shumë tatim mbi vlerën e shtuar se sa në muajt mars-prill-maj, ndërsa të ardhurat nga ky tatim kanë qënë pothuajse të ngjashme me ato të shënuara në periudhën janar-qershor 2016. Mesatarja e TVSH-së së rimbursuar për 6 muajt e parë të vitit 2016 është 6,41 si raport i tvsh së rimbursuar me totalin e të ardhurave nga ky tatim. Ndërsa për këtë vit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rimbursuar 5,79 miliardë lekë ose 8,73 për qind të këtij raporti. “Shqipëria në fakt është në parametrat e kënaqshëm të mbledhjes së tvsh-së në Shqipëri. Pra ne arrijmë të mbledhim 9% të ardhura të tvsh-së ndaj GDP ndërkohë që në kto parametra janë edhe vendet e rajonit por edhe vendet e zhvilluara. Ne e kemi planin mujor 4.1, 4.2-4.5 miliard lekë çdo muaj. Nga këto 10 miliard i kemi planifikuar për ti dhënë rimbursime” tha Xhavit Curri nëndrejtor i përgjithshëm i DPT. Nga viti në vit, kërkesat për rimbursim të TVSH-së nga bizneset kanë ardhur në rritje, por nga ana tjetër, Tatimet nuk kanë mundur të përmbushin detyrimet për rimbursimin, duke krijuar kështu detyrime të prapambetura në këtë zë. Skema e rimbursimit të TVSH numëroi në fund të vitit 2016 mbi 3.3 miliardë lekë detyrime të akumuluara. Në totalin e shumës së kërkuar për rimbursim gjatë vitit 2016, 53.35% i zuri kategoria e eksportuesve dhe fasonistëve, 27.65% kategoria e investimit, 2.01% trupa diplomatike, organizata ndërkombëtare dhe projektet IPA, 16.99% aktivitete të tjera. Të ardhurat nga TVSH-ja parashikohet të jenë më 2017 në masën rreth 142 miliardë lekë, ose 8,5 miliardë lekë më shumë se pritshmëria për vitin 2016 ose 6.4%.

Sicred