KRYEFAQJA » LAJME » Rikthimi i kryeveprave të Goricës dhe Mangalemit

Rikthimi i kryeveprave të Goricës dhe Mangalemit

Sikur të shkruhej një libër për historinë mitike të Beratit përfytyrimi dhe ndjesia që të jep ky qytet i gjallë, fjalët dhe përshkrimi në fletë, nuk do ta kishin forcën për ta treguar atë që sheh syri këtu.
Ky është Berati i sotëm. Qyteti i vjetër që rrjedh me gurë nga sipër kalasë e derdhet në Mangalem, duke ngritur struktura, ndërtime me dritare të përpikta dhe rrugica labirinthesh që të çojnë në shtëpi të ngrohta e të sigurta.
Ky është Berati që pasi ka përshkuar Apsin e lashtësisë, Osumin e sotëm, ngrihet për të krijuar një tjetër ballkon të gurtë, Goricën fisnike.
Eugen Kallfani ka lindur këtu në këtë lagje të gurtë me shtëpi shekullore. Udhërrëfyesi ynë është edhe drejtues i një prej institucioneve më të rëndësishme të muzealitetit në qark, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat. Pasioni i tij duket sikur është ngritur mbi këto struktura shekullore.
Në Goricë njerëzit po rikthehen duke i përshtatur banesat e vjetra në bujtina për turistët. Vajzat e reja të cilat lindën në Berat, nuk mund të mos të vendosin një gur që të rikthehen këtu herë pas here. Kështu bëri dhe e bija e Lefterisë, një arkitekte e re. Ndërtoi një bujtinë duke mos cënuar asnjë gjurmë të kësaj trashëgimie të vyer.
Gorica është një lagje gjysmë ishullore që mbart në vete një histori të mbushur me mite, arkitektonikë të rrallë dhe ndaj është unike në llojin e vet. Duke përshkuar Beratin, Apsin apo Osumi, rrjedh pahetueshëm poshtë urës me të njëjtin emer. Urës me harqe që bashkon pjesën tjetër dhe të pandarë të qytetit, Mangalemin. Ecim në rrugica të gurta me bindjen se do humbim por rrugët tona kryqëzohen në një tjetër bujtinë. Kjo është një shtëpi 300 vjeçare që edhe sot përballë betonit dhe hekurit nuk e ka humbur peshën e moteve. Peshën e historisë dhe vlerat e një inxhinierie inteligjente. Në këtë bujtinë përveç kushteve moderne të mikpritjes, të zotët thonë se presin që të rinjtë e Beratit që kanë mbaruar shkollën, të vijnë të punojnë në qytetin e tyre.
Gjithë këto të mira dhe këto magji muzeale të qytetit që prej vitit 2008 janë marë në ruajtje nga UNESCO. Në 8 korrik të vitit 2008, anëtarët e Komitetit të Trashegimisë Botërore në Konferenën e mbajtur në Kanada thanë se Berati e Gjirokastra, janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Berati, sipas Unesco-s është dëshmimtar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve.
Në Berat sot të gjitha këto monumente po i nënshtrohen një restaurimi serioz. Jo vetëm kishat, xhamitë dhe teqetë e vjetra, por edhe rrugicat, muret dhe ikonat shumëngjyrëshe, po kalojnë në duart e specialistëve më të mirë të zonës dhe atyre të huaj.
Dy restauratorët, Altini dhe Miltjadhi, të lindur në këtë qytet kanë marrë në dorëzim ikonat e magjishme të dinastisë së çetirëve apo të ikonografit Kostandin Zografi.
Edhe pse shumë prej monumenteve kryesore të kompleksit muzeal të Beratit i janë nënshtruar një restaurimi të rëndësishëm, Zoti Kallfani thotë se këto pasuri kërkojnë strategji të mirëmenduara.
Sipër Tomorri ka hedhur gunën e dimrit dhe qyteti është po ai, si përpara 3 mijë vjeteve, kur Desaretët vendosën gurët e parë. E për ata gurë dhe histori mijëravjeçare vemendja për Beratin sot duhet të jetë shumë më e madhe. Ky qytet flet ende dhe sot me gjuhën e historisë dhe kulturës së trashëguar, në më të shumtën e rasteve falë dashurisë dhe kujdesit të banorëve të tij, po nesër a do të mjaftojë kjo?…

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com